Elbasan, 15 prill 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka evidentuar dhe proceduar një sërë ngjarjesh të ndodhura në qytete dhe zona të ndryshme të qarkut, që lidhen me sigurinë rrugore, konfliktet familjare, dhunën fizike dhe vjedhjet.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 37 vjeç, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, duke rrezikuar sigurinë publike në rrugë.
Ndërkohë, në Elbasan, ka nisur procedimi penal për dy vëllezër, Sh. V., 57 vjeç dhe S. V., 70 vjeç, pasi kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj njëri-tjetrit për shkak të mosmarrëveshjeve për pronësinë.
Në Librazhd, Policia procedoi penalisht shtetasit E. K., 18 vjeç, G. Ç., 18 vjeç dhe katër të mitur (dy 16-vjeçarë dhe dy 17-vjeçarë), të cilët janë përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta. Gjithashtu, 38-vjeçarja E. H. u procedua për ndërtim pa leje në pronën e saj.
Në Gramsh u kapën dy shtetas të shpallur në kërkim, A. M., 40 vjeç dhe K. K., 37 vjeç, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me një person tjetër të arrestuar më parë, kanë goditur me sende të forta një 44-vjeçar. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos që ata të procedohen në gjendje të lirë.
Në Peqin, shtetasi G. B., 56 vjeç, kallëzoi se gjatë natës i është vjedhur automjeti në fshatin Lazaren. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe për gjetjen e automjetit.
Materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
