Amnistia penale: nis sot zbatimi, lirohen 541 të burgosur, përjashtohen subjektet e SPAK

Ka nisur këtë të mërkurë zbatimi i ligjit për amnistinë penale në institucionet e vuajtjes së dënimit në të gjithë vendin. Sipas të dhënave paraprake, nga kjo masë do të përfitojnë 541 persona, të cilët do të lirohen nga burgjet, ndërsa një numër i konsiderueshëm të dënuarish do të përfitojnë ulje të dënimit.

Nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Kosovë të Lushnjës pritet të lirohen rreth 120 të burgosur. Në burgun e Fierit do të lirohen rreth 98 persona, ndërsa rreth 200 të dënuar të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit.

Ndërkohë, nga burgu i Fushë-Krujës do të lirohen 9 të burgosur, ndërsa nga Institucioni i Vuajtjes së Dënimit në Drenovë të Korçës pritet të dalin rreth 60 persona. Përfituese të amnistisë janë edhe 15 gra të dënuara që vuajnë dënimin në institucionin e Pojskës.

Ligji për amnistinë penale nuk përfshin personat që janë subjekt i hetimeve apo procedimeve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të cilët përjashtohen nga përfitimet e kësaj mase.