Aksidenti fatal në Levan, humb jetën drejtuesi i “Audit”, 4 të tjerë të plagosur

FIER – Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e sotëm në autostradën Levan–Tepelenë, pranë rrethrrotullimit të Levanit.

Dy automjete, një “Audi” dhe një “Benz”, janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e “Audit”, shtetasin D. B., 55 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, tre pasagjerë që ndodheshin në “Audi” janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Edhe drejtuesi i automjetit tip “Benz” është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të ketë qenë një prej faktorëve të përplasjes, por shkaku i saktë dhe përgjegjësitë do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve.