Një apel për ndihmë vjen nga Gramsh, ku kryefamiljari Alush Miraka po përballet prej dy vitesh me një sëmundje të rëndë. Për të shpëtuar jetën, ai ka nevojë për një ndërhyrje të specializuar kirurgjikale jashtë vendit, me një kosto rreth 50 mijë euro, shumë e papërballueshme për familjen e tij.
Familja Miraka është detyruar të largohet nga fshati Tunjë për t’u vendosur pranë spitaleve, në mënyrë që Alushi të mund të kryejë trajtimet e vazhdueshme mjekësore.
Prej dy vitesh ai po lufton me një tumor të madh, i cili i ka ndryshuar rrënjësisht jetën familjes. Gjatë kësaj kohe, Miraka ka kryer disa ndërhyrje kirurgjikale dhe një numër të konsiderueshëm seancash kimioterapie, por pavarësisht përpjekjeve, sëmundja ende nuk është mposhtur.
Sipas mjekëve, shpresa e vetme për trajtim mbetet një operacion i specializuar që mund të kryhet vetëm në Turqi. Megjithatë, kostoja prej rreth 50 mijë eurosh është e papërballueshme për familjen.
Të ardhurat e vetme mujore janë rreth 200 mijë lekë të vjetra nga pagesa e KEMP-it që përfiton kryefamiljari. Nga kjo shumë, rreth 150 mijë lekë shkojnë për blerjen e ilaçeve, ndërsa familja ka marrë edhe një kredi për të përballuar shpenzimet e trajtimit, me një këst mujor po rreth 200 mijë lekë të vjetra.
Mes vështirësive shëndetësore dhe ekonomike, familja përpiqet të mbajë gjallë shpresën për të ardhmen. Ndërkohë, vajza e tyre rrezikon të ndërpresë shkollimin për shkak të gjendjes së rënduar financiare.
Me një apel prekës, Alush Miraka u drejtohet të gjithë shqiptarëve për ndihmë:
“Dua vetëm të jetoj për vajzën time. Më ndihmoni të bëj operacionin që mund të më shpëtojë jetën.”
Për këdo që dëshiron të kontribuojë, familja ka vënë në dispozicion numrin e telefonit: 068 468 5513.













