Lezhë – Një shpërthim me tritol është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Lezhë, ku objektiv ka qenë automjeti i një agjenti policie.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse i është vendosur një automjeti në pronësi të një agjenti të sektorit të krimeve, me inicialet G. Gj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 të mëngjesit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Nga shpërthimi është dëmtuar automjeti i efektivit, ndërsa raportohet se nuk ka persona të lënduar. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të identifikuar autorët.
Paraprakisht dyshohet se lënda plasëse është vendosur në automjet gjatë natës, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet e këtij akti.













