Pasi u hap disa ditë më parë, asfaltohet segmenti rrugor në aksin Librazhd–Prrenjas, te “Arrat e Gurrës”

Kanë përfunduar punimet për asfaltimin e segmentit rrugor të dëmtuar nga rrëshqitja e dherave në zonën e quajtur Arrat e Gurrës, në aksin Librazhd – Prrenjas.

Lajmi është bërë i ditur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili njoftoi përmes rrjeteve sociale se ndërhyrja u realizua pas stabilizimit të terrenit dhe sistemimit të trupit të rrugës.

Sipas ARRSH-së, punimet kanë bërë të mundur rikthimin e qarkullimit normal dhe të sigurt për drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e këtij aksi rrugor.

“Përfunduan punimet për asfaltimin e segmentit të prekur nga rrëshqitja e dherave në zonën e quajtur ‘Arrat e Gurrës’, në aksin Librazhd–Prrenjas. Ndërhyrja u realizua pas stabilizimit të terrenit dhe sistemimit të trupit të rrugës, duke rikthyer qarkullimin normal dhe të sigurt për përdoruesit e rrugës”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.

Institucioni gjithashtu falënderoi qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve për mirëkuptimin gjatë periudhës së zhvillimit të punimeve në këtë segment.