Tre të plagosur me thikë, sherri mes të rinjve nisi në një lokal. Emrat

BULQIZË – Një konflikt mes disa të rinjve ka përfunduar me tre persona të plagosur me thikë në qytetin e Bulqizës. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka nisur fillimisht brenda ambienteve të një lokali. Më pas, të rinjtë kanë dalë jashtë për t’u sqaruar, por debati ka agravuar dhe është shndërruar në një konflikt fizik, gjatë të cilit janë përdorur mjete prerëse.

Si pasojë e përleshjes kanë mbetur të plagosur Fluturim Tolle, 26 vjeç, Adhurim Koçi, 26 vjeç dhe Renaldo Dauti, 22 vjeç. Mësohet se 26-vjeçari Fluturim Tolle ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.