SHKODËR- Policia ka dhënë detaje lidhur me të shtënat me armë në Shkodër. Blutë bëjnë me dije se gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin dy persona, me qëllim kryerjen e kontrolleve, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes, duke kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Gjatë ndjekjes, pasagjeri në këtë automjet ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri dhe është larguar. Ndërkohë, Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet. Sakaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar.
Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit. Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit.













