Finalizohet operacioni “Alert”: Arrestohet në aksin Elbasan–Peqin i kërkuari ndërkombëtar nga Spanja
ELBASAN – Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Alert”, i cili çoi në prangosjen e një 53-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle. Shtetasi me iniciale J. B., banues në Vlorë, u lokalizua dhe u ndalua në aksin rrugor Elbasan–Peqin.
Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor. Arrestimi u bë i mundur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative mbi lëvizjen e personit të kërkuar.
Gjykata spanjolle (Juzgado Central de Instrucción n.º 1 – Audiencia Nacional) kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për 53-vjeçarin, i cili akuzohet për tri vepra të rënda penale:
Trafik i lëndëve narkotike;
Pjesëmarrje në organizatë kriminale;
Vjedhje e energjisë elektrike.
Sipas Kodit Penal të Spanjës, për këto vepra, ky shtetas rrezikon një dënim maksimal prej 9 vitesh burgim.
Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me homologët në Spanjë për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Pritet që brenda afateve ligjore, shtetasi J. B. të ekstradohet drejt shtetit iberik për t’u ballafaquar me drejtësinë.













