Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaçën, autorin e vrasjes së Marigona Osmanin më 22 gusht të vitit 2021.
Përmes një aktgjykimi të shkallës së tretë, Supremeja ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka lënë në fuqi vendimet paraprake, duke e vulosur dënimin për vrasjen e Marigona Osmanit.
Gjykata ka konstatuar se “vrasja është kryer në mënyrë mizore, ku viktima ka përjetuar dhimbje të tmerrshme fizike si pasojë e goditjeve me mjet të fortë”.
Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta.
“Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij”, tha gjykata.
Marigona Osmani u përdhunua si dhe u dhunua për 48 orë me karikues dhe shkopinj përpara se të ndërronte jetë, nga Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu, të dënuar për vrasjen e saj.
18-vjeçarja Marigona Osmani u vra nga partneri i saj Dardan Krivaqa, në banesën ku jetonin së bashku në qytetin e Ferizajt, më 22 gusht të vitit 2021.













