Të shtëna me armë në Golem. 38-vjeçari thyen “arrestin në shtëpi”, bashkë me familjarët përplaset me policinë (EMRI)

38-vjeçari Adis Barzezi, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, është ndaluar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Golem pasi u konstatua në shkelje të masës.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, ai dhe disa familjarë të tij kanë kundërshtuar me forcë efektivët, duke detyruar një punonjës policie të qëllojë një herë në ajër për të neutralizuar situatën.

“Rreth orës 19:10, Patrulla e Përgjithshme e Postës së Policisë Golem, bashkë me Ndihmësspecialistin e zonës që ishte i gatshëm, gjatë patrullimit në territor, në Golem, kanë konstatuar në rrugë shtetasin A. B., 38 vjeç, i cili ishte i shoqëruar me persona të tjerë, dhe e kanë ndaluar për verifikim, pasi njihej nga Policia që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Punonjësit e Policisë, gjatë verifikimit, i kanë kërkuar arsyen e thyerjes së masës së sigurisë dhe i kanë komunikuar se do të shoqërohej në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme.

Shtetasi A. B. dhe kunati i tij, shtetasi A. Sh., 23 vjeç, kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga persona të tjerë, familjarë të tij”, bëjnë me dije uniformat blu.

Punonjësi i Policisë me detyrë Ndihmësspecialist në Postën e Policisë Golem ka qëlluar me armën e shërbimit, pistoletë, një herë në ajër, me qëllim zbrapsjen e tyre.

Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar shërbime të tjera policore, të cilat kanë bërë shoqërimin e shtetasve të përfshirë në kundërshtim të veprimeve të Policisë.

Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat edhe shtetasi A. B., i cili kishte thyer masën e sigurisë.

Veprimet hetimore për këtë rast po kryhen nga Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Ndërkohë, është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rastin.