Mësuesja 58-vjeçare M.H. është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve në një shkollë 9-vjeçare në Kamzë.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shpallur në kërkim shtetasen me inicialet M. H.
“Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se gjatë zhvillimit të procesit mësimor ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve. Po punohet për kapjen e 58-vjeçares dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, bëri të ditur policia.
Më herët, Ministria e Arsimit njoftoi shkarkimin e menjëhershëm të mësueses nga detyra. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se pas publikimit të pamjeve të dhunës është ngritur një grup i posaçëm për verifikimin e rastit dhe janë marrë masat e duhura ligjore.
Sipas saj, përveç largimit nga puna të mësueses, ka nisur edhe një hetim administrativ për të verifikuar përgjegjësitë në zinxhirin drejtues të shkollës.













