UDHËZIMI/ Si të aplikoni për rivlerësimin e pasurisë

Kadastra Shqiptare ka publikuar një udhëzim që sqaron se si duhet të veproni për të bërë rivlerësimin e pasurisë.

Hapi i parë është të identifikoheni në në e-Albania;

Më pas zgjidhni shërbimin: “Rivlerësimi i Pasurisë”, klikoni “Përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin”;

Në faqen pasardhëse, zgjidhni pasurinë që doni të rivlerësoni, automatikisht shtohet edhe shërbimi “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”;

Në vijim ngarkoni një dokument pronësie ose aktin e ekspertimit dhe licensën e ekspertit në PDF, nëse rivlerësimin e keni kryer me ekspert të licensuar;

Në faqen pasardhëse është reflektuar tarifa minimale e shërbimit, në përfundim klikoni “Dërgo”.

Kadastra sqaron se tarifa e shërbimit që ju shfaqet gjatë aplikimit nuk është fikse, por do të përllogaritet në varësi të shumës së tatimit që do të rezultojë nga rivlerësimi:
– Deri në 150,000 lekë tatim → 3,500 lekë
– Nga 150,001 – 300,000 lekë tatim → 7,000 lekë
– Mbi 300,001 lekë tatim → 10,000 lekë

Pas përllogaritjes ose verifikimit të rivlerësimit të kryer nga eksperti i licensuar, përcaktohet tarifa e saktë e shërbimit e cila përfshihet në faturën që ju vjen në e-Albania, thuhet në sqarim.

Ditën e djeshme iu hap rruga nisjes së procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim 5% nga 15% që është aktualisht.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), që rregullon procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për individët.

Ky udhëzimi përcakton se mënyrat e rivlerësimit do të jenë pranë ASHK-së (me çmimet minimale fiskale) ose nga ekspert i licencuar.

Në udhëzim përcaktohet se në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.

Baza tatimore llogaritet si diferenca midis vlerës së dalë nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme të regjistruar më parë. Për ndërtesat, nga çmimi i referencës zbritet 1% për çdo vit përdorimi, deri maksimumi 30%. Për tokat, çmimi minimal fiskal është ai për metër katror sipas hartës së vlerave në fuqi.

Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal./monitor