Librazhd, pas dëmtimit të segmentit rrugor dhe shtyllës së Tensionit të Lartë në “Arrat e Gurrës”, shkatërrohet edhe traseja e hekurudhës

Një situatë dramatike me pasoja të rënda për infrastrukturën kombëtare është krijuar në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës” në Dragostunjë të Librazhdit ku brenda pak ditësh janë goditur njëkohësisht tre nyje kyçe: rruga kombëtare, rrjeti i transmetimit të energjisë dhe linja hekurudhore.

Pas dëmtimit të segmentit rrugor në aksin që lidh Librazhd me Prrenjasin , si dhe në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe dëmtimin edhe të bazamentit të një shtylle të Tensionit të Lartë situata është përshkallëzuar më tej me shkatërrimin e plotë të një segmenti të linjës hekurudhore Elbasan–Librazhd–Përrenjas–Gur i Kuq.

Sipas të dhënave, fundosja dhe zhvendosja masive e tokës ka prekur rëndë bazamentin e hekurudhës në segmentin Librazhd–Xhyrë, duke e nxjerrë jashtë funksionit plotësisht këtë pjesë të trasesë që është paralel me rrugën automobilistike dhe rrjedhën e lumit Shkumbin . Strukturat mbajtëse janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme, ndërsa shinat rezultojnë të deformuara dhe të zhvendosura, çka e bën të pamundur çdo tentativë për qarkullim hekurudhor në këtë zonë.

Paralelisht, është dëmtuar edhe shtylla nr. 15 e tensionit të lartë 110 kV, një element kyç i furnizimit energjetik për zonën. Zhvendosja dhe fundosja e e evidentuar e bazamentit të saj përbën rrezik serioz për stabilitetin e rrjetit, ndërsa specialistët po monitorojnë nga afër situatën për të shmangur pasoja të mëtejshme.

“Gjeografia e shkatërrimit” prej disa ditësh në këtë territor ka marrë përmasa alarmante. Rrëshqitjet masive të dheut kanë përfshirë një segment të rrugës kombëtare, shtyllën e tensionit të lartë dhe tashmë edhe linjën hekurudhore, duke krijuar një zinxhir dëmtimesh që prek drejtpërdrejt qarkullimin rrugor, transportin hekurudhor dhe furnizimin me energji.

Kjo situatë e paprecedentë për zonën ka izoluar përkohësisht lidhjet infrastrukturore mes disa pikave strategjike jo vetëm në qarkun e Elbasanit , por për një pjesë të madhe të gjithë Shqipërisë ,ndërsa autoritetet përballen me një sfidë të trefishtë: stabilizimin e terrenit, rikthimin e sigurisë në rrugë dhe rindërtimin e segmenteve të shkatërruara.

Ekspertët e fushës paralajmërojnë se ndërhyrja do të kërkojë kohë, investime të konsiderueshme dhe studime të thelluara gjeologjike, pasi lëvizjet e tokës në këtë zonë rezultojnë aktive dhe me risk të vazhdueshëm.

Ndërkohë, banorët dhe bizneset lokale po përballen me pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe sociale, ndërsa “Arrat e Gurrës” është kthyer në një pikë kritike që teston qëndrueshmërinë e infrastrukturës në një nga korridoret më të rëndësishme lidhëse të vendit.