Dëmtimi i aksit rrugor Librazhd-Pogradec, fillon hetimi për të gjetur përgjegjësit

Prokuroria e Elbasanit ka përfshirë në hetimin e saj për të gjetur përgjegjësit e dëmtimit të aksit rrugor Librazhd-Pogradec, nga autoriteti kontraktor lidhur me shkelje të mundshme të barazisë në tendera, e deri te dyshimet për shkatërrim të rrugës.

Prokuroria e Elbasanit njoftoi të dielën fillimin e procedimit penal për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec. Sipas organit të akuzës, ky procedim penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Prokuroria bëri me dije se ka ngritur një grup hetimor me qëllim hetimin e rrethanave që kanë shkaktuar bllokimin e këtij aksi.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të shtunën ndalimin e qarkullimit për të gjitha mjetet në segmentin rrugor Librazhd-Pogradec, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, për shkak të një rrëshqitjeje. Bllokimi i tërësishëm i aksit erdhi pas një kufizimi fillestar për mjetet e tonazhit të rëndë. Përdoruesit e automjeteve u udhëzuan të devijojnë qarkullimin duke ndjekur rrugën alternative Maliq-Lozhan-Moglic-Gramsh-Elbasan.

Gjatë kohëve të fundit janë konstatuar probleme të ngjashme edhe në rrugë të tjera. Prej tetorit mbetet e dëmtuar edhe rruga Qukës-Qafë Plloçë, që u inaugurua në shtator të vitit të kaluar. Po ashtu, pak kohë më parë pati bllokim të rrugës në vendin e quajtur “Kthesa e Dragostunjës” në aksin Librazhd–Qafë Thanë, për shkak të rënies së një pjese të masivit shkëmbor në rrugë.