Historia prekëse e Osimhen/ Nga shitës uji në rrugë në yll futboll, ai është një shembull frymëzimi

Historia e Victor Osimhen është shumë më tepër sesa një rrëfim klasik “nga varfëria në pasuri”. Sot ai konsiderohet një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe përfiton rreth 250 mijë paund në javë te Galatasaray, por rruga drejt majës ka qenë e mbushur me dhimbje, sakrifica dhe pengesa pothuajse të pakapërcyeshme.

Osimhen u rrit në Olusosun, një zonë e varfër në Lagos të Nigerisë, pranë një prej zonave më të mëdha të mbeturinave në Afrikë. Ai jetonte me gjashtë vëllezër e motra në një apartament me vetëm një dhomë. Tragjedia e goditi herët: nëna e tij ndërroi jetë kur ai ishte ende fëmijë. Babai, që punonte si shofer, humbi vendin e punës dhe u detyrua të lante enë në një kuzhinë policie për të mbajtur familjen.

Varfëria ishte aq e thellë sa Victor shpesh kërkonte këpucë futbolli në landfill. Në moshën 12-vjeçare, kur pronari i shtëpisë u ndërpreu energjinë elektrike për shkak të borxheve, ai doli jashtë dhe qau pranë një kanali, duke pyetur Zotin pse jeta e një fëmije duhej të ishte kaq e vështirë.

Për të ndihmuar familjen, ai shiste ujë në semaforë, bënte punë të rastësishme, madje punoi edhe në puse të rrezikshme. Në një kuic televiziv fitoi rreth 5 paund, paratë më të shumta që kishte mbajtur ndonjëherë në duar. Çdo qindarkë e fituar shkonte për ushqim dhe qira.

Futbolli u rikthye gradualisht në jetën e tij. Pas një refuzimi fillestar nga kombëtarja U17 e Nigerisë, ai udhëtoi në një provë të dytë dhe shënoi dy gola në 15 minuta. Në vitin 2015 shpërtheu në Kupën e Botës U17, duke fituar “Këpucën e Artë” dhe duke ndihmuar Nigerinë të shpallej kampione bote.

Nga aty nisi ngjitja: transferimi te Ëolfsburg, më pas te Lille dhe në vitin 2020 kalimi rekord te Napoli. Me 26 gola në sezonin 2022-23, ai udhëhoqi Napolin drejt titullit historik në Serie A, të parit pas 33 vitesh, nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti.

Megjithatë, pak para transferimit në Itali, ai humbi babanë dhe nuk arriti të ishte pranë tij në momentet e fundit, një goditje që e tronditi thellë. Sot, Osimhen është simbol i shpresës për miliona fëmijë që rriten në varfëri. Ai mbetet dëshmi e gjallë se me besim, punë dhe këmbëngulje, edhe ëndrrat më të pamundura mund të bëhen realitet.