Gjyqi në Hagë, flet Hashim Thaçi: “Është vetëm një e vërtetë, unë jam plotësisht i pafajshëm”

HAGË, 18 Shkurt 2026 – Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar në sallën e gjyqit se është “plotësisht i pafajshëm”, duke kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij në procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në fjalën e tij para trupit gjykues, Thaçi u shpreh se gjatë tre viteve të fundit janë dëgjuar akuzat e Prokurorisë, por sipas tij, e vërteta është vetëm një.

“Për gati tri vite në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm,” deklaroi ai.

Thaçi theksoi se në fillim të vitit 1998, në kohën kur ndodhën masakrat në Kosovë, ai ishte student në Zyrih dhe mohoi pretendimet se kishte plane për të marrë kontrollin e vendit.

“Në kohën e masakrave në fillimit të vitit 1998, isha student në Zyrih. Unë nuk po bëja plane si ta marr kontrollin e Kosovës, i vetmi njeri i cili po bënte plane morbide ishte Slobodan Milošević,” tha Thaçi.

Ai shtoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë ishte i motivuar nga ndjenja e përgjegjësisë përballë ngjarjeve tragjike dhe jo për ambicie pushteti.

“Duke i parë masakrat në vendin tim nuk mund të qëndroja indiferent, vendosa të vij në Kosovë. Bëra atë që do të bënte secili prej jush. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë,” u shpreh ai.

Thaçi e cilësoi procesin si një ofendim për kujtimin e viktimave dhe përpjekjet e aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë NATO, me të cilët, sipas tij, ka pasur bashkëpunim të ngushtë gjatë luftës.

“Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave. Është ofendim edhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë. Unë u ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri,” përfundoi ai.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vijon në Hagë, ndërsa pritet që trupi gjykues të shqyrtojë provat dhe dëshmitë përpara vendimit përfundimtar.