Fëmijët në epokën digjitale/ Alarm për varësinë, shëndetin mendor dhe sigurinë në rrjet

Rrjetet sociale janë tashmë pjesë e pandashme e përditshmërisë njerëzore. Tek brezat e rinj, kryesisht adoleshentët, akoma më tepër, me statistika reale në Evropë, përdoren nga 80% e tyre. Është temë qendrore në shumë aspekte të debateve publike, në kontekst shëndetësor, për pro-të dhe kundër, sikurse ndodh me fenomenet kryesisht të reja. Por padyshim, deri tani, gjurma e rrjeteve sociale, dhe jo vetëm, e teknologjisë, është e fortë dhe e zhurmshme.

Përdorimi i tepruar, sikurse në çdo aspekt, mund të sjellë rreziqe domethënëse për shëndetin mendor, shëndetin fizik, por edhe cyberbullizmin.

Nga njëra anë, rrjetet sociale kanë ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet njerëzore, të të gjitha natyrave, sikurse komunikimi human. Nga ana tjetër, ofrojnë vend për të shprehur kreativitetin, për të ndërtuar një identitet, ndaras nga konteksti familjar. Informacioni është shumë i shpejtë dhe i aksesueshëm, por edhe i ndashëm me miq e grupe që kanë të njëjtat interesa. Gjithashtu, në bazë të interesave dhe kanalizimeve, janë burime të dhënash e formimi.

Por natyrisht, rreziqet, kritikat dhe pasojat mund të jenë të shumta.

Të lindurit mes viteve 2010–2025, Gjenerata Alpha, jo vetëm po rriten me teknologjinë, por po e jetojnë në formë aktive. Ky brez përdor smartphone, tablet e instrumente e pajisje të tjera teknologjike, të bazuara edhe në IA. Lëvizin me rrjedhshmëri e natyrshmëri të lartë në rrjet, në media sociale apo platforma formuese online.

Adoleshentët, fëmijët, janë ngushtë të lidhur me internetin, janë të ndërgjegjshëm, dhe të menaxhosh këtë pavarësi të tyre nga adultët nuk është aspak e lehtë. Nga ana tjetër, ndalimi mund të rrisë tërheqjen akoma më tepër, e nga ana tjetër, mosmarrja e asnjë mase mund t’i ekspozojë ndaj rreziqeve të ndryshme.

Sipas Observatorit Shkencor të Etikës Digjitale të Komisionit Evropian, janë marrë në shqyrtim 20 mijë djem e vajza të moshës nga 11–18 vjeç, ku 78% e tyre thotë se ndihet i varur nga pajisjet teknologjike. Ndërsa nga ata që kanë tentuar të reduktojnë kohën e qëndrimit në lundrim në internet, vetëm 23% e tyre ia kanë arritur.

Qëndrimi i gjatë përkon me një shqetësim në rritje për shëndetin fizik e mendor, dhe 91% e tyre e pranojnë këtë impakt.

Një pasojë direkte e smartphone-ve, pajisjeve teknologjike dhe rrjeteve sociale është shëndeti i syve, shikimi. Sipas statistikave, problemi në shikim është ai që ka pësuar më shumë rritje gjatë viteve të fundit, ku vetëm në Kinë e SHBA, 80% e studentëve të shkollave tetëvjeçare e të mesme vuajnë nga miopia.

Paralelisht është rritur edhe koha e kaluar online sipas fashave orare, kryesisht ato nga ora 13:00–19:00 dhe në rritje të theksuar edhe ajo nga 19:00–23:00. Përtej ndikimit te shëndeti mendor e fizik, kjo rritje e përdorimit ndikon drejtpërdrejt tek marrëdhëniet sociale, duke evituar ato reale e duke u fokusuar tek virtualja, çka është sfidë e madhe në aspekt edhe më të gjerë.

Sipas statistikave, rezulton në fakt se fëmijët nuk e etiketojnë as mirë dhe as keq kohën e kaluar para smartphone-it, çka do të thotë se është arritur pika që shihet si një mjedis konstant, normal, i paevitueshëm.

Në planin edukativ, të dhënat flasin për vështirësi që shkojnë përtej teknologjisë. Problem është edhe mesazhi jo koherent që adoleshentët marrin nga më të rriturit. Në shkollë punohet mbi një ekuilibër dhe edukatë qytetare digjitale, ndërsa në mjedis familjar shpesh mungojnë rregullat e qarta dhe vazhdimësia e edukimit që përpiqet të realizojë institucioni arsimor.

Një tjetër skepticizëm po thellohet ndërkohë: përdorimi masiv i IA dhe siguria në rrjet. Një anketim i realizuar nga Unicef në 32 vende të ndryshme të botës me fëmijë të moshave nga 9–16 vjeç rezulton se nuk janë në gjendje të dallojnë shpesh një vend të sigurt e të besueshëm në rrjet, apo nuk kanë kompetencat e duhura për zgjedhje edhe përmbajtjesh. Perceptimi i IA po ndikon në përtaci dhe kryerje automatike të veprimeve, edhe në materialet shkollore. Shtohet edhe një faktor, ai i imazheve me konotacion seksual të gjeneruara nga IA.

Kjo është një problematikë e madhe dhe, sipas Interpol, në një investigim në 11 vende gjatë vitit të fundit, të paktën 1.2 milionë fëmijë kanë thënë dhe pranuar se imazhet e fotot e tyre janë manipuluar duke shtuar detaje seksuale të qarta.

IA është gjithnjë e më e pranishme në përditshmërinë e fëmijëve dhe adoleshentëve, dhe është thelbësore të shoqërohen e vëzhgohen nga prindërit në zhvillimin e kompetencave digjitale, shpirtit apo mendjes kritike dhe ndërgjegjshmërisë.

Por ata vetë e kanë ende të vështirë të orientohen drejt dhe në mënyrë të sigurt, duke tuteluar kështu mirëqenien sot e në të ardhmen, të tyre. Limitet padyshim duhet të jenë, që fëmijët të shijojnë dhe jetojnë fëmijërinë.

Natyra, socializimi, sporti, lojërat janë thelbësore për fëmijët dhe, me ndryshimet e vrullshme në teknologji, rrjete sociale, komunikim dhe në gjithë shoqërinë, mbajtja e një ekuilibri bëhet e vështirë.