Peqin, 11 Shkurt 2026 – Katër pjesëtarët e familjes Kola, të cilët humbën jetën pak ditë më parë në Itali, do të përcillen për në banesën e fundit ditën e nesërme në fshatin Gryksh i Madh të Peqinit, në vendlindjen e tyre.
Bëhet fjalë për kryefamiljarin Arti Kola, bashkëshorten e tij Jonida Kola dhe dy fëmijët Hajdar dhe Xhesika, përkatësisht 22 dhe 15 vjeç, të cilët ndërruan jetë më 4 shkurt në shtëpinë e tyre në Porcari, Itali. Shkak i tragjedisë ishte helmimi nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesë.
Trupat e pajetë i janë nënshtruar analizave toksikologjike në Itali, ndërsa tashmë është mundësuar kthimi i tyre në Shqipëri. Për të mundësuar transportin e trupave në vendlindje, vëllai i Artit, Durim Kola, ka hapur një fushatë donacionesh në platformën GoFundMe, ku brenda dy ditësh u mblodhën mbi 75 mijë euro.
Sipas raportimeve, tragjedia ndodhi në orët e darkës. Vëllai i kryefamiljarit dhe karabinierët, sapo hynë në shtëpi, gjetën tryezën e shtruar dhe nuk morën asnjë përgjigje. Pas disa trokitjeve në derë, ata thyen derën dhe përballeshin me një skenë dramatike: katër trupat e pajetë të shtrirë në tokë. Xhaxhai i dy fëmijëve, gjithashtu i ekspozuar ndaj monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Cisanello-s, ndërsa efektivët dolën nga shtëpia pa pësonin të njëjtin fat.
Banesa ku ndodhi tragjedia ishte pronë e Artit Kola, i cili sipas dëshmitarëve e kishte blerë rreth tre vite më parë. Familja kishte filluar të jetonte aty vetëm kohët e fundit. Shtëpia ishte restauruar pjesërisht nga vetë kryefamiljari, piktor me profesion, ndoshta me ndihmën e disa miqve. Djali i tij, 22-vjeçar, punonte si elektriçist dhe ishte pjesë e përditshmërisë së familjes në këtë ambient të ri.
Kjo ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ngjallur dhimbje të thellë te banorët e Grykshit të Madh, të cilët do të marrin pjesë në ceremoninë e përcjelljes së familjes për në banesën e fundit, duke nderuar kujtimin e katër anëtarëve të familjes Kola.














