TIRANË- Qiratë dhe kostoja më e ulët e jetesës, si dhe mundësia për të qëndruar deri në një vit pa leje qëndrimi po e bëjnë Shqipërinë destinacionin e parapëlqyer edhe për pensionistët amerikanë. Sipas agjentëve të pasurive të patundshme, Vlora dhe Saranda janë ndër qytetet kryesore ku ata qëndrojnë me qira nga 400 deri në 500 USD në muaj.
Prej muajit tetor, Lisa Spence, 62 vjeçe, nga shteti i Alabamës në SHBA, jeton në Vlorë.
Zonja Spence tregon për “Monitor” se ka zgjedhur të jetojë për një vit në Shqipëri për shkak të kostos së ulët të jetesës dhe leverdishmërisë ekonomike, duke pasur parasysh të ardhurat e saj mujore nga pensioni me vlerë 2,200 USD.
Lisa tashmë pensioniste, tregon se ka punuar 18 vjet si administratore në një zyrë kontabiliteti të një kompanie të madhe ndërtimi. Ajo pohon se jeta në SHBA është shumë herë më e shtrenjtë krahasuar me Shqipërinë. Sipas saj, kjo është një ndër arsyet kryesore pse ka vendosur të qëndrojë për një vit në Vlorë.
Ajo jeton në një apartament me qira në zonën e Lungomares në Vlorë. Për një apartament me dy dhoma dhe ballkon me pamje panoramike, paguan 400–500 USD në muaj, ndërsa në SHBA, një pronë e ngjashme sipas saj do të kushtonte minimalisht 1,400 USD.
“Me të ardhurat që kam nga pensioni, nuk do të mbijetoja në SHBA. Cilësia e jetës këtu është shumë i mirë duke pasur parasysh, të ardhurat mujore nga pensioni. Gjithashtu njerëzit janë shumë mikpritës.
Në Shqipëri mund të shijosh momentet e vogla të jetës, si të pish një kafe, të ecësh apo të bësh shëtitje. Edhe cilësia e ushqimeve është shumë e mirë. Klima, ajri i pastër, deti, Vlora është vend ideal për të bërë një jetë të mirë. Atje të gjithë njerëzit nxitojnë. Këtu jeta është më e qetë”, shprehet ajo.
Kjo është përvoja e saj e parë e të jetuarit në një shtet jashtë SHBA-së. Zonja Spence u njoh me Shqipërinë pas disa kërkimeve që bëri mbi listën e vendeve miqësore të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku përfshihet edhe Shqipëria.
“Ishte shumë e rëndësishme që, para se të vendosja se ku do të jetoja, të bëja një kërkim mbi shtetet në listën e vendeve miqësore të publikuara nga DASH, pasi për një zonjë pensioniste që jeton e vetme, siguria mbetet kryesorja”, – përfundon zonja Spence.
Më tej, ajo nënvizon se deri tani ka qenë shumë e lehtë për të pasur shërbim ambulator mjekësor, edhe për shkak të një gjendjeje gripale që kaloi, si dhe kujdesin dentar. Ajo shton se deri tani nuk i është dashur të përdorë shërbim spitalor.
Zonja Spence e rekomandon qytetin e Vlorës edhe për shtetas të tjerë amerikanë që kërkojnë të jetojnë jashtë vendit të tyre, pas daljes në pension.
Agjentët e tregut të shitblerjes së pasurive të paluajtshme pohojnë se në qytetet bregdetare, si në Vlorë dhe Sarandë, vihet re një tendencë e rritjes të kërkesës së shtetasve të huaj pensionistë, përfshirë edhe shtetasit amerikanë për të jetuar me qira.
Sipas agjentes imobiliare Viola Shehaj-Malaj, kërkesa e pensionistëve amerikanë për të jetuar në qytetin e Vlorës në apartamente me qira ka shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2025, tendencë që ka vijuar edhe në muajin e parë të 2026.
Në tërësi, sipas saj, afatet e qëndrimit nga shtetasit e huaj që kanë zgjedhur Vlorën për të qëndruar zgjatin nga 1 deri në 2 vite. Ndërsa pensionistët amerikanë po testojnë këtë lloj përvoje, për të vendosur më tej për afatet e qëndrimit, duke shfrytëzuar avantazhin e qëndrimit deri në një vit në Shqipëri pa vizë dhe leje qëndrimi.
Znj. Shehaj-Malaj thekson se një nga faktorët kryesorë që i tërheq është kostoja e ulët e jetesës në Shqipëri krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht çmimet e ulëta të qirave, klima dhe qetësia që gjejnë në qytetet bregdetare.
“Shumica e shtetasve amerikanë që po zgjedhin të qëndrojnë në Vlorë pohojnë se arsyeja kryesore mbetet kostoja e ulët e jetesës, sidomos e qirave që janë shumë herë më të lira. Nëse në Vlorë gjen një apartament të tipologjisë 1+1 me çmim 400 USD/muaj, në SHBA çmimi minimal është rreth tre herë më i lartë.
Por duhet theksuar se shumë prej pensionistëve amerikanë janë në fazën e testimit. Shumë prej tyre parapëlqejnë të qëndrojnë disa javë apo disa muaj, duke shfrytëzuar afatin e qëndrimit njëvjeçar pa vizë dhe leje qëndrimi në Shqipëri, për ta testuar këtë përvojë. Disa të tjerë zgjedhin të qëndrojnë një vit të plotë, për t’u larguar dhe për t’u kthyer sërish. Kjo periudhë i ndihmon të marrin vendimin nëse do të qëndrojnë afatgjatë”, nënvizon ajo.
Përveç shtetasve amerikanë, qyteti i Vlorës vijon të mbetet mjaft i kërkuar për qëndrim afatgjatë edhe prej pensionistëve italianë, sipas agjentes imobiliare. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, deri në muajin mars 2025, numri i pensionistëve italianë që jetonin në Shqipëri arriti në 3,000 nga 300 pensionistë italianë në vitin 2021.
Rritja e numrit të tyre është ndikuar nga politikat fiskale të Shqipërisë për mostatimin e pensioneve të shtetasve italianë.
“Në praktikë, nëse në Itali 1,500 euro bruto kthehen në 1,150 euro neto, këtu mbeten 1,500 euro të pastra. Dhe nuk vijnë vetëm ata me të ardhura të ulëta, por ka edhe shumë pensionistë të pasur me më shumë se 50 mijë euro në vit”, pohoi më herët për “Corriere Della Sera” një pensionist italian që jetonte në Shqipëri.
Nga lehtësitë e qëndrimit deri te lehtësitë fiskale, arsyet kryesore për zgjedhjen e Shqipërisë
Përveç faktorit më të rëndësishëm që është kostoja e ulët e jetesës, një tjetër arsye e fortë që po tërheq amerikanët është mundësia për të jetuar në Shqipëri deri në një vit pa pasur nevojë për vizë ose leje qëndrimi të gjatë.
Kjo periudhë e mjaftueshme u jep atyre mundësinë të njohin vendin, të vizitojnë qytetet bregdetare dhe të vendosin nëse duan të krijojnë plane afatgjata për qëndrimin.
“Në vargun e turistëve që po vijnë në Shqipëri, po vihet re edhe një trend i ri që përfshin punonjësit nomadë (ata që mund të punojnë nga kudo në botë) dhe pensionistët, veçanërisht nga vendet perëndimore.
Përveç pensionistëve italianë, të cilët janë bërë banorë të rregullt të qyteteve bregdetare të Shqipërisë si Durrësi, Vlora apo Saranda, një grup tjetër që po shfaq interes për tregun shqiptar janë amerikanët.
Media dhe PR-i ndërkombëtar kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim, pasi Shqipëria po listohet gjithnjë e më shpesh si një nga destinacionet më të mira për daljen në pension, duke u përfshirë në lista krahas vendeve si Portugalia, të cilat kanë politika të qarta për tërheqjen e kësaj kategorie turistësh që më pas shndërrohen në rezidentë.
Në rastin e Shqipërisë, kostoja e jetesës renditet si një nga përparësitë kryesore, por mbi të gjitha vlerësohet liria që ofron pasaporta amerikane, e cila u lejon mbajtësve të saj të qëndrojnë në vendin tonë deri në një vit pa pasur nevojë për dokumente afatgjata rezidence”, thekson Stela Dhami, nga agjencia imobiliare ndërkombëtare “Colliers International Albania”.
Lehtësitë për lejet e qëndrimit për shtetasit amerikanë
Policia e Shtetit sqaroi për “Monitor” se bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të miratuar në muajin mars të vitit 2022, shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë pa leje qëndrimi për një periudhë deri në një vit.
Sipas VKM, këta shtetas mund të rihyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë nëse kanë qëndruar më shumë se 90 ditë jashtë territorit të Shqipërisë. Ky vendim është marrë në mbështetje të ligjit “Për të huajt” dhe synon lehtësimin e regjimit të hyrjes dhe qëndrimit për shtetasit amerikanë.
Përveç shtetasve amerikanë në Shqipëri pa leje qëndrimi mund të qëndrojnë edhe shtetasit nga Ukraina. Nëpërmjet vendimit të miratuar në muajin maj 2023, qeveria shqiptare vendosi të zgjasë afatin për hyrjen dhe qëndrimin e ukrainasve në Shqipëri. Nga një vit tashmë ata kanë mundësinë që të qëndrojnë pa leje deri në dy vjet.
Po ashtu sipas ligjit “Për të huajt” shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe shtetasit e Republikës së Kosovës, kur aplikojnë për herë të parë dhe plotësojnë kriteret e përgjithshme të përcaktuara në nenin 36 të këtij ligji, përfitojnë leje qëndrimi me afat 5-vjeçar.
Sipas ligjit “Për të huajt”, konkretisht nën nenin 33 të tij, përcaktohet se leja e qëndrimit, nëse nuk është përcaktuar ndryshe në këtë ligj ose në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, jepen për një afat prej 3 muajsh, 6 muajsh ose 1 viti, ku leja 1-vjeçare mund të ripërtërihet jo më shumë se 5 herë radhazi.
Gjithashtu, leja e qëndrimit mund të jepet për një periudhë 2-vjeçare, e cila mund të ripërtërihet vetëm një herë, ose për një afat 5-vjeçar, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Leja e qëndrimit e përhershme jepet në rast se i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm për 5 vjet radhazi në Republikën e Shqipërisë dhe ka lidhje ose veprimtari të qëndrueshme në vend.
Shqipëria garanton leje qëndrimi për pensionistët e huaj me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë
Sipas vendimit “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të përditësuar, Shqipëria gjithashtu ofron leje qëndrimi për pensionistët e huaj që përfitojnë pension nga vendi i origjinës, duke vendosur disa kritere kryesore: të ardhura vjetore nga pensioni mbi 1,2 milionë lekë.
Gjithashtu në e-Albania te rubrika për “Aplikim për leje qëndrimi për pensionist”, si dokumentacion i nevojshëm përcaktohet: kontratë qiraje ose dokument që vërteton akomodim të përshtatshëm, dëshmi e të ardhurave vjetore nga pensioni në vendin e origjinës në vlerën mbi 1,200,000 lekë, dëshmi nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri për transferimin e pensionit, vërtetim të sigurimeve shëndetësore në Shqipëri, dokument identifikimi i vlefshëm dhe dëshmi penale të legalizuar (vetëm për aplikimin e parë).
Eksperti fiskal Julian Saraçi thekson se shumë nga pensionistët e huaj supozojnë se pensionet nuk tatohen automatikisht në Shqipëri. Në fakt, tatimi në burim prej 15% aplikohet mbi pensionet e huaja, përveç rasteve kur ekzistojnë marrëveshje dypalëshe për shmangien e tatimit të dyfishtë (DTT) me vendin e origjinës.
Marrëveshjet me vende si Italia, Gjermania apo Kosova mund të parashikojnë që pensioni të tatohet vetëm në shtetin burim ose vetëm në vendin e rezidencës, duke krijuar përfitime fiskale reale për pensionistët e huaj që zgjedhin Shqipërinë.
“Interesi në rritje i pensionistëve të huaj për të jetuar në Shqipëri lidhet shpesh me perceptimin se pensionet nuk tatohen. Ky perceptim, megjithatë, ka nevojë për një sqarim të rëndësishëm ligjor.
Sipas Ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale zbatohet vetëm për pensionet që burojnë nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri, siç përcaktohet shprehimisht në nenin 11, pika “a”, ku përjashtohen “të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.
Në të gjitha rastet e tjera, pra kur pensioni përfitohet nga një shtet i huaj dhe përfituesi konsiderohet jo-rezident fiskal, ligji shqiptar parashikon tatim në burim prej 15% mbi të ardhurat, në përputhje me ligjin.
Nga ky këndvështrim, legjislacioni i brendshëm nuk ofron një përjashtim automatik për pensionet e huaja.
Megjithatë, këtu hyn në lojë një normë më e lartë e së drejtës siç janë marrëveshjet dypalëshe për shmangien e tatimit të dyfishtë (DTT). Shqipëria ka nënshkruar një numër të konsiderueshëm të këtyre marrëveshjeve me vende të ndryshme, përfshirë Italinë, Gjermaninë, Kosovën dhe shtete të tjera europiane.
Sipas parimit të hierarkisë normative, dispozitat e këtyre marrëveshjeve kanë përparësi ndaj legjislacionit të brendshëm shqiptar.
Në praktikë, shumë nga këto marrëveshje parashikojnë që pensionet të tatohen vetëm në shtetin e burimit ose vetëm në shtetin e rezidencës, në varësi të llojit të pensionit (publik apo privat) dhe formulimit konkret të marrëveshjes.
Kjo krijon, në raste të caktuara, një lehtësim real fiskal për pensionistët e huaj që zgjedhin Shqipërinë si vendbanim.
Megjithatë, është thelbësore të theksohet se nuk ekziston një zgjidhje standarde që vlen për të gjithë pensionistët. Çdo rast duhet të analizohet individualisht, duke marrë në konsideratë shtetin nga buron pensioni, llojin e pensionit, statusin e rezidencës fiskale dhe dispozitat konkrete të marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë që aplikohet.
Në këtë kuptim, Shqipëria nuk ofron një “përjashtim të përgjithshëm” për pensionistët e huaj, por një kornizë ligjore fleksibël, ku lehtësitë fiskale burojnë kryesisht nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe jo nga ligji i brendshëm në vetvete.
Kjo është arsyeja pse çdo pensionist duhet të vlerësojë rrethanat e tij specifike dhe, idealisht, të marrë këshillim profesional përpara se të marrë vendime afatgjata fiskale dhe rezidenciale”, shpjegon eksperti Julian Saraçi.
Stela Dhami, nga “Colliers International Albania” parashikon se në të ardhmen, numri i pensionistëve të huaj amerikanë që do të kërkojnë të jetojnë në Shqipëri do të rritet, nëse shteti harton politikat e duhura për tërheqjen e tyre.
“Sipas të dhënave ‘The Great American Exodus 2025’ nga GetGoldenVisa 450,000–760,000 amerikanë kanë dalë në pension në vende si Meksika dhe Kanadaja, dhe 28% e tyre orientohen drejt Europës. Aktualisht një numër i lartë pensionistësh amerikanë jetojnë në Shqipëri, por ky numër mund të rritet ndjeshëm nëse hartohen politika të duhura për të tërhequr më shumë pensionistë”.
Ekspertët rekomandojnë se politikat e mundshme për tërheqjen e pensionistëve mund të përfshijnë promovim ndërkombëtar, përmirësim të infrastrukturës shëndetësore, apo edhe lehtësime fiskale.
Sa të huaj të moshës mbi 60 vjeç janë të pajisur me leje qëndrimi
Për vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj mbi 60 vjeç arriti në 3,007 persona apo 16% më shumë sesa në 2023.
Të huajt për grupin e moshës mbi 60 vjeç përbën rreth 17% të totalit të të huajve me leje qëndrimi, duke reflektuar rritjen e interesit të pensionistëve për vendbanime afatgjata në Shqipëri.
Peshën kryesorë të të huajve me leje qëndrimi e mbajti grupmosha nga 30 deri në 39 vjeç, duke përbërë rreth 27% të totalit, e ndjekur më pas nga grupmosha nga 20 deri në 29 vjeç që zunë 19,8% të totalit, ndjekur nga grupmosha 40 deri në 49 vjeç duke zënë 19,5% të totalit.
Nga totali i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri për vitin 2024, europianët mbajnë rreth 65.5% të peshës, e ndjekur nga shtetasit nga Azia që përbënë 21% të totalit, ndërsa amerikanët, rreth 7%.
Tendencat e shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri
Sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) dhënë për “Monitor” nga Policia e Shtetit, për vitin 2025 numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri arriti 27,514 leje qëndrimi aktive. Krahasuar me 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi është rritur 25,4%.
Ndër këta, për vitin 2025, shtetasit amerikanë përbëjnë 1,128 persona, duke shënuar rënie prej 22.3% nga viti i kaluar. Për vitin 2025, shtetasit amerikanë të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri përbënin 4% të totalit të të huajve me leje qëndrimi në vend, kundrejt 7% që përbënë në vitin 2024.
Nga totali prej 27,514 lejesh qëndrimi aktive deri në fund të vitit 2025, shumica e të huajve janë nga Kosova, me 6,076 persona, që përbën rreth 22% të totalit. Pas Kosovës, është Italia me 3,776 persona (13.7%) dhe India me 2,399 persona (8.7%). Filipinet kanë 2,213 persona (8%), ndërsa Egjipti, 2,007 persona (7.2%) dhe Turqia 1,862 persona (6.7%).
Nga ana tjetër, Mianmari ka 445 persona (1.6%), Kina 362 persona (1.3%) dhe Nigeria, 184 persona (0.6%).
Megjithatë, motivi kryesor për pajisjen me leje qëndrimi në Shqipëri vijon të mbetet për çështje punësimi dhe bashkimi familjar.
Për vitin 2025, nga totali i aplikimeve të reja, 65% e tyre ishin për leje unike punësimi, e ndjekur nga aplikimet për bashkim familjar që përbënë 13% apo për qëllime studimi, rreth 5%. Ndërsa numri i shtetasve të huaj që aplikuan për leje të përhershme qëndrimi ishte 40, duke përbërë 0.2% të totalit të numrit të aplikimeve për 2025.
Nga totali i aplikimeve, për 2025-n, sipas të dhënave 7,049 apo 36.4% prej tyre janë aplikime nga femra dhe 12,272 apo 63.6% nga meshkuj.
Aplikime të reja për 2025
Gjatë vitit 2025, sipas Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, që tregon një rritje të dukshme krahasuar me 13,176 aplikime që u përpunuan gjatë vitit 2024. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre është rritur me 6,145 aplikime me apo 47% më shumë.
Gjatë vitit 2025, shtetësitë kryesore që kanë aplikuar për herë të parë për leje qëndrimi është India me 2,691 aplikime, që përbën 14% të totalit, Filipinet me 2,415 aplikime (13%), Italia me 2,239 aplikime (12%), Egjipti me 2,198 aplikime (11%), Kosova me 1,813 aplikime (9%), Turqia me 1,441 aplikime (7%), SHBA me 606 aplikime (3%), Mianmari me 506 aplikime (3%), Rusia me 442 aplikime (2%) dhe Ukraina me 312 aplikime (2%)./Monitor.al














