Rrëshqitja e dherave bllokon aksin Qukës–Qafë Plloçë, apelohet shmangia e qarkullimit

Masive gurësh dhe dherash kanë rënë në trupin e rrugës gjatë orëve të para të mëngjesit, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve.

Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë është bllokuar sërish rreth orës 02:00 të ditës së sotme, si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe rënies së masiveve të gurëve në trupin e rrugës.

Sipas informacioneve paraprake, punimet jashtë standardeve, të kombinuara me reshjet e fundit të shiut, kanë shkaktuar destabilizim të terrenit, duke rikthyer problemet në këtë segment rrugor, i cili prej kohësh konsiderohet problematik për qarkullimin.

Për pasojë, lëvizja e mjeteve është ndërprerë plotësisht, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative deri në njoftimin e radhës.

Autoritetet përkatëse pritet të ndërhyjnë për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit, ndërkohë që situata po monitorohet nga afër për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të tjera.

Policia rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të natës dhe në kushte të pafavorshme atmosferike.