Qeveria ka finalizuar projektligjin për Amnistinë Penale, i cili pritet të shqyrtohet fillimisht në Këshillin e Ministrave dhe më pas të dërgohet për miratim në Kuvend. Sipas të dhënave paraprake, nga kjo amnisti do të përfitojnë mbi 10 mijë persona, ndërsa qindra të burgosur pritet të lirohen ose t’u reduktohet masa e dënimit.
Sipas draftit, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa afro 980 të dënuar të tjerë do të përfitojnë ulje të kohëzgjatjes së dënimit. Projektligji zbatohet për vendime penale të formës së prerë deri më 31 dhjetor 2025 dhe përjashton një sërë veprash të rënda penale.
Kategoritë që përfitojnë lirim të menjëhershëm
Drafti parashikon lirimin e menjëhershëm për disa kategori të dënuarish, përfshirë:
-
Burra të dënuar deri në 3 vite burg
-
Gra të dënuara deri në 4 vite burg
-
Persona që kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vite burg (burra) dhe 4 vite (gra)
-
Burra mbi moshën 60 vjeç dhe gra mbi 50 vjeç
-
Persona që kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël në momentin e kryerjes së veprës penale
Këto përfitime zbatohen me kusht që vepra penale të mos përfshihet në listën e veprave të përjashtuara nga amnistia.
Ulje dënimi për të dënuarit
Projektligji parashikon gjithashtu ulje të dënimit për rreth 1 mijë persona që vuajnë dënimin në burg:
-
Ulje me 1 vit për burrat
-
Ulje me 1 vit e 6 muaj për gratë dhe të miturit
Nga kjo kategori përjashtohen personat e dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të dënuarit me burgim të përjetshëm, personat në arrati ose që i janë shmangur drejtësisë, si dhe autorët e veprave penale të rënda, përfshirë vrasjet në rrethana cilësuese apo ndaj funksionarëve publikë.
Pushim i ndjekjes penale për mijëra çështje
Një tjetër element i rëndësishëm i amnistisë është pushimi i ndjekjes penale për rreth 9 mijë qytetarë. Bëhet fjalë për çështje që ndodhen në fazë hetimi, gjykimi ose kallëzime të pashqyrtuara, për vepra të kryera deri më 31 dhjetor 2025 dhe të dënueshme deri në 3 vite burg sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.
Këto procedime do të pushohen automatikisht, përveç rasteve që përjashtohen shprehimisht nga ligji.
Veprat dhe personat që nuk përfitojnë
Nga Amnistia Penale përjashtohen personat e dënuar për një gamë të gjerë veprash të rënda, përfshirë krime kundër jetës, krime seksuale, krime ndaj fëmijëve dhe familjes, terrorizëm, korrupsion, krim të organizuar, falsifikim, krime zgjedhore dhe vepra që janë në juridiksionin e GJKKO-së.
Gjithashtu, asnjë përfitim nuk parashikohet për personat në arrati apo ata që kanë shmangur ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Qëndrimi institucional
Ministria e Drejtësisë e cilëson projektligjin si një nismë që synon humanizimin e politikës penale, rehabilitimin e të dënuarve dhe lehtësimin e sistemit të drejtësisë, duke ruajtur njëkohësisht interesin publik dhe sigurinë.













