Rrjeti social “TikTok” do të jetë i aksesueshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë pas rreth një viti bllokimi, masë e cila u mor nga qeveria pak muaj pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, pas një sherri që nisi mes tyre pikërisht në këtë rrjet social.
Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendimin për hapjen e aplikacionit pas bllokimit më 13 mars 2025.
Në vendimin thuhet se “Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme”.
Kryeministri Edi Rama pati deklaruar asokohe se mbyllja do të ishte e përkohshëm dhe se aplikacioni do të rihapej sapo të arrihej dakordësia me kompaninë kineze për vendosjen e filtrave, për shkak të efektit të pretenduar negativ mbi shëndetin psiko-emocional të fëmijëve.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 212 pika, 2, 174, 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
1. Heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “Tik Tok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
2. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme, duke respektuar edhe dispozitat ligjore për mbrojtjen të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministri lafrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.
Kujtojmë se rreth 20 organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dënuan asokohe vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, duke e cilësuar vendimin një “kufizim ekstrem.”
Po ashtu ato deklaruan se se bllokimi i aksesit në platformë, në periudhën parazgjedhore, (pasi më 11 maj 2025 mbaheshin zgjedhjet Parlamentare), ishte “veçanërisht shqetësues” për shkak se dëmtonte komunikimin e partive politike, veçanërisht me votuesit e rinj si dhe gërryente aftësinë e qytetarëve për të pasur akses në informacion të larmishëm para se të merrnin vendimin se për kë duhet të votojnë.
Organizatat vërenë gjithashtu që ndërhyrja e Ramës në këtë proces ka mungesë akute transparence dhe se procesi, që sipas tij është kryer, ai i konsultimit me 65 mijë prindër dhe mësues, kishte mangësi shqetësuese të provave se ka ndodhur dhe që ky proces konsultimi të jetë i vlefshëm, do të duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë dhe jo vetëm kategori të caktuara të saj, si prindërit dhe mësuesit.














