Atentati në berberhane, reagon policia! Shpallen në kërkim katër shtetas të dyshuar si autorët të ngjarjes

Pas informacionit të publikuar nga mediat për ngjarjen me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e 1 shkurtit në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, Policia e Lezhës njofton se veprimet hetimore kanë vijuar intensivisht nga Grupi i Posaçëm Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë.

Qëllimi është dokumentimi ligjor i plotë, identifikimi dhe kapja e autorëve.

Nga hetimet ka rezultuar se është ekzekutuar urdhri i ndalimit për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Si të dyshuar në ngjarje janë shpallur edhe shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë në kërkim. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ku G. N., E. N., K. N. dhe M. N. akuzohen për “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”.

Nga hetimet e deritanishme, është bërë e ditur se 21-vjeçari Merando Nikulaj, shënjestra e atentatit, ka qenë në shoqërinë e efektivit të patrullës së përgjithshme Besart Kovaçi, i cili u ndalua mbrëmjen e sotme për moskallëzim krimi.

Në armën e policit janë gjetur 15 plumba dhe në pistoletë 5 plumba, duke treguar se Kovaçi ka qëlluar 10 herë.

Hetimet po verifikojnë gjithashtu mundësinë e përdorimit të një arme të tretë.

Dyshohet se Nikulaj ka mbetur i plagosur, por nuk është paraqitur në spital.

Plagosja ndodhi mbrëmjen e kaluar në qendër të fshatit Rrilë, ku autoritetet mbërritën disa minuta pas një breshërie plumbash mbi një dyqan.

Si pasojë, u plagos Sokol Daci, 30 vjeç, i cili ndodhej brenda ambienteve të berberhanes. Fasada e dyqanit është dëmtuar rëndë nga breshëria e plumbave.

30-vjeçari u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Lezhës dhe më pas në Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar.

Policia sqaron se hetimet për zbardhjen e plotë ligjore të ngjarjes vijojnë intensivisht dhe për momentin nuk mund të jepen detaje të tjera.