Ish-ministri i Bujqësisë dhe politikani Edmond Panariti ka ngritur alarmin për virozën që po qarkullon në Shqipëri ditët e fundit, duke e cilësuar atë si gripin më të rrezikshëm të këtij shekulli.
Përmes një reagimi publik, Panariti deklaron se nuk bëhet fjalë për një grip të zakonshëm stinor, por për një mutacion super agresiv të virusit të gripit H3N2, i cili sipas tij po shfaq pasoja serioze shëndetësore, veçanërisht te kategoritë më të rrezikuara.
Sipas Panaritit, ky virus prek më fort të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe pacientët që trajtohen me kimioterapi ose rreze. Ai thekson se situata po përkeqësohet nga dita në ditë, ndërkohë që mungojnë masat parandaluese nga institucionet përgjegjëse.
Ish-ministri kritikon ashpër sistemin shëndetësor për mungesë reagimi, duke theksuar se deri më tani nuk ka asnjë udhëzim apo masë konkrete për shkollat, kopshtet dhe spitalet, pavarësisht përhapjes së shpejtë të virozës.
Panariti bën thirrje për ndërhyrje urgjente, duke paralajmëruar se neglizhenca institucionale mund të përshkallëzojë më tej situatën dhe të rrisë rrezikun për shëndetin publik në vend.













