Protesta e opozitës, reagon Rama: Degjenerim! Mercenarë të rekrutuar nga rrugaçët e lagjeve hedhin molotovë dhe shkatërrojnë godinat

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës kombëtare të opozitës, e cila u zhvillua ditën e djeshme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e quajti protestën një degjenerim të pandalshëm dhe dëshpërim të pangushëllueshëm.

Rama shkruan se mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, veshin maska dhe fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat. Në fund ai iu uroj të shkuara efektivëve të policisë, të cilët u dëmtuan gjatë tubimit të protestuesve.


Postimi i Edi Ramës

Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm! Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër.