“Të rritësh e vetme tre fëmijë pas divorcit dhe të gjykohesh është hipokrizi”/ Ngjarja në Durrës, Pedagogia: Kur një nënë gjykohet, shteti dhe shoqëria dështojnë

Pedagogia thekson më tej se në vend që të pyesim se ku është shteti dhe çfarë mbështetje reale u jep grave që rrisin të vetme fëmijët e tyre, njerëzit zgjedhim rrugën më të lehtë, duke paragjykuar.

TIRANË- Pedagogia dhe kandidatja për deputete e PD-së në qarkun Durrës, Jola Hysaj ka bërë një reagim lidhur me ngjarjen në Durrës, ku u raportua se Blerina Basha kishe braktisur tre fëmijët e saj. Në postimin e saj, Hysaj shkruan se të rritësh e vetme tre fëmijë pas një divorci dhe të gjykohesh për këtë nuk është debat publik, por sipas saj është padrejtësi dhe hipokrizi.

Pedagogia thekson më tej se në vend që të pyesim se ku është shteti dhe çfarë mbështetje reale u jep grave që rrisin të vetme fëmijët e tyre, njerëzit zgjedhim rrugën më të lehtë, duke paragjykuar. Hysaj shkruan gjithashtu se në Shqipëri, shumë gra sakrifikojnë gjithçka, dinjitetin, shëndetin, jetën personale vetëm që fëmijët “t’ia dalin”, por askush nuk flet për koston njerëzore të kësaj sakrifice.

Reagimi i Plotë:

Kur një nënë gjykohet, shteti dhe shoqëria dështojnë. Të rritësh e vetme tre fëmijë pas një divorci dhe të gjykohesh për këtë nuk është debat publik. Është padrejtësi dhe hipokrizi. Në vend që të pyesim ku është shteti, çfarë mbështetje reale u jep grave që rrisin të vetme fëmijët e tyre, ne zgjedhim rrugën më të lehtë: moralizimin dhe paragjykimin.

Nuk po flas për kush ka bërë mirë apo keq. Sepse asnjë debat moral nuk mund të ndërtohet mbi kurrizin e fëmijëve. Asnjë gjykim publik nuk justifikohet kur pasojat i paguajnë ata.

Në Shqipëri, shumë gra sakrifikojnë gjithçka – dinjitetin, shëndetin, jetën personale – vetëm që fëmijët “t’ia dalin”. Por askush nuk flet për koston njerëzore të kësaj sakrifice. Askush nuk pyet pse barra bie gjithmonë mbi nënën dhe pse mungesa e politikave sociale fshihet pas moralit.

Flasim shumë për moral individual, por heshtim për dështimin institucional. Gjykojmë gratë, por nuk mbrojmë fëmijët. Në dy vitet e fundit kam parë dhjetëra raste të tilla. Janë qindra. Nëna të forta dhe nëna të thyera. Të gjitha me një emërues të përbashkët: janë lënë vetëm.

Si u zbulua rasti i rëndë?

Ngjarja e rëndë është zbuluar ditën e djeshme në Durrës, ku tre fëmijë të vegjël janë gjetur vetëm në kushte mizerable. Mësohet se nëna e tyre Blerina Basha, është proceduar penalisht pas dyshimeve se tre fëmijët e saj të mitur ishin lënë pa kujdes në banesën ku jetonin. Sipas policisë së Durrësit, 33 vjeçarja po hetohet mbi veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”. Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, gjyshja e fëmijëve, me iniciale D. V., ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte. Ndërkohë që Basha ka mohuar akuzat e ish-vjehrrës së saj, duke i konsideruar ato si dashakeqëse. Ajo ka deklaruar se prej 5 vitesh është divorcuar dhe punon si banakiere, në mënyrë që te ketë mundësi të ushqej dhe mbajë fëmijët e saj, për shkak të çmimeve te larta. Fëmijët tashmë janë marrë në mbrojtje nga Ministria e Shëndetësisë dhe tashmë ndodhen në spitalin e Durrësit, ku u janë siguruar ushqimi dhe veshmbathja e duhur.