Situata e fundit e krijuar nga moti në qarkun e Elbasanit. Reshje shiu dhe dëbore, ja problematika në secilën bashki

Elbasan, 8 janar 2026 – ora 10:00

Në qarkun e Elbasanit vijojnë reshjet e shiut me intensitet të ulët dhe mesatar, ndërsa në zonat e larta malore po bien reshje dëbore. Sipas raportimeve zyrtare, është shënuar shtim i intensitetit të dëborës, çka ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore.

Problematika paraqiten kryesisht në aksin Elbasan–Gjinar–Zavalinë dhe në aksin Elbasan–Tiranë, rruga e vjetër nga Qafë Krraba, ku një pjesë e mjeteve janë në qarkullim me goma jo të përshtatshme dhe pa zinxhirë. Në këto dy akse, si dhe në rrugën Elbasan–Labinot Mal, vijon hedhja e kripës dhe puna e mjeteve borëpastruese.

Në bashkinë Gramsh raportohet për prurje të shumta ujore nga lumi Devoll në njësinë administrative Pishaj dhe nga lumi Kërpicë në njësinë administrative Kushovë, duke rrezikuar toka bujqësore dhe disa banesa. Mjetet e bashkisë ndodhen në terren për ndërhyrje në problematika të rrugëve të fshatrave, për shkak të inerteve, bllokimeve të pjesshme dhe dëborës. Gjithashtu, është njoftuar se hidrocentrali i Moglicës ka nisur shkarkimet rreth orës 08:30, fillimisht me 50 m³/sekondë dhe aktualisht me 100 m³/sekondë.

Në bashkinë Cërrik është kërkuar mbështetje me një mjet zjarrfikës nga MZSH Elbasan për largimin e ujit në stacionin elektrik pranë uzinës së naftës, pasi ekziston rrezik për funksionimin e stacionit dhe sigurinë e punonjësve. Ndërkohë, në njësitë administrative Gostimë dhe Mollas ka filluar përmbytja e tokave bujqësore.

Në bashkinë Peqin po punohet për pastrimin e akseve rrugore që lidhin fshatrat me qendrat e njësive administrative, për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Në bashkinë Prrenjas raportohet një rast i futjes së ujit në dy banesa, konkretisht në bodrumet e tyre, ku është ndërhyrë nga shërbimet e MZSH për normalizimin e situatës.