SCiDEV dhe SafeJournalists: Reforma penale është e rëndësishme për lirinë e shprehjes, por kërkon plotësim me mjete civile efektive

SCiDEV dhe Rrjeti SafeJournalists mirëpresin projektligjin e paraqitur në Kuvend që propozon ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, në përputhje me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Projektligji adreson dy çështje që prej vitesh kanë qenë në qendër të advokimit të SCiDEV, SafeJournalists dhe komunitetit të gazetarëve: dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes, si dhe parashikimin e mbrojtjes së posaçme penale ndaj gazetarëve për dhunën dhe kërcënimet e ushtruara për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre profesionale. Megjithatë, SCiDEV dhe SafeJournalists theksojnë se reforma e Kodit Penal nuk përbën një zgjidhje përfundimtare për sfidat që lidhen me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve. Për të garantuar një reformë ligjore vërtet gjithëpërfshirëse dhe efektive, dekriminalizimi i shpifjes duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me masa mbrojtëse të forta në kuadrin e së drejtës civile, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. SCiDEV dhe SafeJournalists nënvizojnë se sfidat që prekin lirinë e medias në Shqipëri shkojnë përtej ndryshimeve të izoluara ligjore dhe lidhen me presionin politik, cenueshmërinë ekonomike të mediave, qasjen e kufizuar në informacion, praktikat e pabarabarta rregullatore, dobësitë në vetërregullim dhe integritetin e medias, si dhe sigurinë e gazetarëve. Këto kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse dhe sistemike, të ndërtuar mbi reforma ligjore të balancuara, zbatim efektiv të ligjit dhe dialog të vazhdueshëm me komunitetin e medias dhe shoqërinë civile.

Lexo: https://scidevcenter.org/wp-content/uploads/2026/01/SCiDEV_Sugjerime_Kodi-Penal_Amendime_Kuvend_7012026.pdf