Numri i emigrantëve të rikthyer pas pandemisë është rritur, por gjithashtu edhe kushtet për riintegrimin janë përkeqësuar. Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024, teksa 45% e tyre erdhën pas pandemisë.
Aksesi i të kthyerve në punësim dhe në shërbime është përkeqësuar në krahasim me periudhat paraardhëse, duke bërë që synimet për riemigrim të jenë më të larta krahasuar me ata që nuk kanë emigruar. 13% e emigrantëve të kthyer po bëhen gati të ikin brenda vitit krahasuar me një nivel pothuajse të papërfillshëm prej 1% tek jo-emigrantët. Profili i ri i emigracionit.
Ka një tendencë në rritje të rikthimit të emigrantëve pas pandemisë, por nga ana tjetër, kushtet e integrimit të tyre janë vështirësuar edhe më shumë, sidomos pas pandemisë, sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar, të cilat u publikuan së fundmi.
Shqipëria në këtë mënyrë po vret, për së dyti, shpresën e të rikthyerve, teksa në vendet e tjera të Ballkanit si Rumania, Bullgaria dhe Serbia, kthimet po tejkalojnë largimet.
Anketa zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024. Pjesa më e madhe, rreth 45%, u rikthyen gjatë 2020–2024. Në periudhat më të hershme, pesha e të kthyerve ka qenë më e ulët, me vetëm 10–19% të rikthyer në çdo interval pesëvjeçar ndërmjet viteve 2000 dhe 2019.
Emigrantët që u kthyen para kohe dhe jo me dëshirë përbëjnë 67% të të gjithë të rikthyerve dhe karakterizohen nga dominimi i fortë i meshkujve.
Anketa zbuloi se kthimet e parakohshme lidhen më shpesh me humbjen e vendit të punës, mungesën e mundësive dhe probleme administrative në vendin pritës, ndërsa kthimet e planifikuara shoqërohen më tepër me përfundimin e kontratave të punës dhe arritjen e objektivave financiare.
Arsyet familjare mbeten një faktor i rëndësishëm për të dy grupet, megjithëse janë pak më të shpeshta tek ata që janë kthyer para kohe.
Në total, 28% e të gjithë emigrantëve të kthyer raportojnë arsyet familjare si motivin kryesor për rikthimin në Shqipëri. Kjo përqindje rritet në 31% tek ata që u kthyen para kohe dhe mbetet e lartë, në 23%, edhe tek ata që nuk u kthyen para kohe.
Arsyet e kthimit ndryshojnë ndjeshëm mes dy grupeve. Emigrantët që u kthyen para kohe kanë më shumë gjasa të përmendin faktorë të pavullnetshëm, si largimi nga puna nga punëdhënësi ose pamundësia për të gjetur punë (10%).
Ndërsa ata që qëndruan më gjatë jashtë vendit u kthyen më shumë për shkak të përfundimit të punës sezonale ose kontratës, apo sepse kishin arritur të fitonin dhe kursenin mjaftueshëm para (6%)./ Monitor













