Aksident i shumëfishtë në Rrugën e Arbrit, disa të plagosur

Pak minuta më parë, një aksident automobilistik ka ndodhur në rrugën nacionale Maqellarë-Peshkopi, në afërsi të fshatit Dovellan. Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë katër automjete, ndërsa raportohet se ka edhe persona të lënduar.

Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë mjegulla e dendur dhe lagështira në rrugë, të cilat kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve. Kjo nuk është hera e parë që në këtë segment rrugor, pjesë e Rrugës së Arbrit, regjistrohen aksidente.

Sakaq, policia është nisur drejt vendngjarjes për të sqaruar rrethanat dhe për të menaxhuar trafikun, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave të plagosur.

Mjegulla e dendur, e cila prej më shumë se 23 ditësh ka përfshirë qarkun e Dibrës, vijon të mbetet një rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve. Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në këtë periudhë festash, ku qarkullimi është rritur ndjeshëm për shkak të ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit.