Tiranë, 18 nëntor 2025
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin që nga orët e para të ditës kanë shkaktuar një sërë problemesh në disa qarqe, ku strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për të ndihmuar dhe evakuuar banorët në zonat më të prekura. Ministria e Mbrojtjes, në një raport të detajuar, e cilëson situatën “dinamike dhe sfiduese”, me rrezik që mund të rritet në orët në vijim.
Evakuime e ndërhyrje emergjente
Në fshatin Dukagjin i Ri, Thumanë, një familje me pesë anëtarë është evakuuar pasi uji përmbyti banesën e tyre. Ndërhyrja u krye nga Forcat e Armatosura, të cilat vazhdojnë të monitorojnë zonën.
Në Zejmen, vërshimi i përrenjve Prull dhe Pllanë ka sjellë prani të ujit në katër banesa. Banorët janë strehuar përkohësisht nga strukturat vendore, ndërsa ekipet e emergjencave kanë nisur pastrimin e ambienteve të prekura.
Durrës – presion i lartë reshjesh
Në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm, forcat në terren po punojnë për eliminimin e pasojave të reshjeve. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm aktualisht janë brenda kuotave të sigurisë, ndërsa hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj operojnë me kapacitet maksimal për të shmangur përmbytjet.
Dibër – defekte në rrjetin elektrik
Situata është e qëndrueshme, por disa zona mbeten pa energji elektrike, përfshirë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç dhe Lurë. OSHEE është duke punuar për riparimin e defekteve për të rikthyer furnizimin normal.
Lezhë – rrugë të dëmtuara e ura të bllokuara
Në Kurbin, situata në Mamurras, Gjorëm, Zhejë dhe Fushë-Mamurras po normalizohet.
Megjithatë, rruga e fshatit Shpërdhe mbetet e dëmtuar nga prurjet e lumit Droje.
Segmenti Skuraj–Gallatë–Vinjollë është ende i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë. Nivelet e Drinit dhe Matit janë aktualisht brenda normave.
Kukës – rrëshqitje dhe dëmtime
Në disa akse rrugore ka rënie inertesh. Segmenti Vranisht–Fajza, në bashkinë Has, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Kompanitë kontraktore po pastrojnë rrugët për të rikthyer qarkullimin.
Shkodër – terrene të vështira
Në zonën e Shalës, po pastrohen inertet nga segmenti Gimaj–Bregu i Lumit, ndërsa Ndërlysë–Bregu i Lumit mbetet i bllokuar. Puna po vazhdon në kushte të vështira për hapjen e plotë të rrugës.
Elbasan – qarkullim i vështirësuar
Në akset Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë janë raportuar rënie inertesh. Grupet e mirëmbajtjes po punojnë për pastrimin dhe garantimin e lëvizjes së mjeteve.
Probleme me energjinë
Ekipet e OSHEE po punojnë në disa zona për rikthimin e energjisë elektrike, duke përfshirë Rubikun, Tropojën (Torocish, Kukës, Berishë, Lekbibaj), si dhe zonat Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm në Gjirokastër. Probleme janë raportuar edhe në disa njësi të Qarkut Korçë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile theksojnë se po monitorojnë situatën në kohë reale dhe janë të gatshme të ndërhyjnë në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.













