Prej disa orësh, një pjesë e madhe e faqeve të internetit në Shqipëri dhe në mbarë botën kanë hasur vështirësi serioze në aksesim, për shkak të një problemi të shfaqur në rrjetin global të Cloudflare, një prej ofruesve më të mëdhenj në botë të shërbimeve të shpërndarjes së përmbajtjes (CDN) dhe DNS-it.
Problemet kanë nisur papritur dhe kanë shkaktuar ndërprerje të aksesit në shumë website të rëndësishme, të cilat mbështeten te Cloudflare për performancë dhe siguri. Si rezultat, përdoruesit janë përballur me gabime në ngarkimin e faqeve, kohë të gjata pritjeje ose pamundësi totale për t’u lidhur.
Ndërprerja ka krijuar kaos në internet për disa orë me radhë, duke ndikuar shërbime nga më të ndryshmet, nga portale informuese dhe platforma tregtie, deri te aplikacione biznesi dhe shërbime online që përdoren në përditshmëri.
Downdetector, platforma që monitoron funksionimin e shërbimeve dixhitale përmes raportimeve të përdoruesve, ka regjistruar mijëra ankesa brenda një kohe të shkurtër, duke konfirmuar përmasat e gjera të incidentit. Raportime të shumta kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por nga vende në të gjitha kontinentet, çka tregon se bëhet fjalë për një problem të shkallës globale.
Deri tani, Cloudflare nuk ka dhënë një njoftim të qartë publik mbi shkaqet e incidentit, megjithëse ekipet teknike dyshohet se po punojnë për stabilizimin gradual të rrjetit.













