Vrasja e Egli Progës: Gjykata zbut masën e sigurisë për dy të akuzuarit pas 15 muajsh paraburgim

Korçë, 18 Nëntor 2025

Gjykata e Korçës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Leonidha Guçen dhe Denis Meçen, të arrestuar në lidhje me vrasjen e Eglantin (Egli) Progës në Pogradec, duke i lënë në “arrest shtëpie” pas 15 muajsh qëndrimi në paraburgimin e Drenovës. Vendimi u mor tre ditë më parë, me argumentin se afatet ligjore të paraburgimit kanë përfunduar.

Ndërkohë, Prokuroria e Korçës vijon hetimet mbi një çështje që mbetet e pazbardhur plotësisht. Një element kyç i dosjes – pamjet filmike të siguruara nga kamerat e zonës – rezulton pjesërisht i fshirë. Për këtë arsye, një akt-ekspertim po kryhet në një laborator specializuar kompjuterik në Itali, me qëllim rikuperimin e materialeve të humbura dhe saktësimin e rolit të personave të dyshuar në ngjarje.

Dosja kishte kaluar fillimisht për gjykim me disa të pandehur, por u rikthye për rihetim pasi Denis Meçe dha një dëshmi të detajuar në prokurori, çka ndryshoi dinamikën e hetimit dhe kërkoi veprime shtesë procedurale.

Ngjarja e rëndë ndodhi në muajin gusht në Pogradec, ku Egli Proga mbeti i vrarë. Përveç Guçes dhe Meçes, dy persona të tjerë u arrestuan atëherë me akuzat “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Prokuroria pritet të marrë drejtimin e mëtejshëm të çështjes sapo të dorëzohet ekspertiza nga Italia, e cila konsiderohet vendimtare për ecurinë e procedimeve.