Komisionerja për Zgjerimin, Kos: “Kemi hapur të gjithë grupkapitujt, tani po përgatisim një shtëpi për ju në Evropë”

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një nga mesazhet më të forta mbështetëse për integrimin e Shqipërisë, teksa BE konfirmoi zyrtarisht hapjen e Grupkapitullit 6 në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Gjatë deklaratës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Kos tha se Shqipëria sot përfaqëson “shembullin më të mirë të fuqisë transformuese të zgjerimit”, duke falënderuar Presidencën daneze për përparimin dhe duke theksuar se ky sukses u takon mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë.

“Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE. Ky është rezultati i qytetarëve shqiptarë që kërkuan ndryshim. Çelja e grupeve kapitulluese është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi i vërtetë,” deklaroi Kos, duke theksuar se tani kërkohet përshpejtim i disa reformave dhe përmbushja e piketave të ndërmjetme.

Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë politik dhe shoqëror brenda vendit:

“I dashur Edi, ju keni mbështetjen e gjerë publike të vendeve kandidate. Punoni me të gjithë — me opozitën në parlament, me sektorin privat. Komisioni do të vazhdojë t’ju mbështesë dhe t’ju këshillojë. Jam personalisht e përkushtuar t’ju ndihmojmë.”

Në një mesazh simbolik dhe të drejtpërdrejtë, Kos iu drejtua kryeministrit Rama:

“I dashur Edi, ju jeni një udhëheqës që shikon nga e ardhmja. Ne na duhen partnerë të besueshëm dhe Shqipëria është një prej tyre. Shqipëri, vazhdo kështu — ne po përgatisim një shtëpi për ju në Evropë. Kemi çelur të gjithë grupkapitujt.”

Me hapjen e të gjitha grupkapitujve, Shqipëria hyn në fazën më vendimtare të procesit të anëtarësimit, ku ritmi i reformave dhe mbyllja e kapitujve do të përcaktojë ecurinë drejt BE-së.