Atentati në Rinas, ndërron jetë në spital Muçi Shaljani

Muçi Shaljani ka ndërruar jetë 5 ditë pas atentatit mesditën e 11 nëntorit pranë Aeroportit të Rinasit. Ai ndodhej në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga breshëria e plumbave i vdekur në vend mbeti Gilmando Dani, i cili sapo ishte kthyer nga Spanja, bashkë me Shaljanin.

“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 11.11.2025, mbi ngjarjen e ndodhur tek rrethrrotullimi i Rinasit, ju informojmë se shtetasi M. Sh. (Sh.), i cili mbeti i plagosur, ka humbur jetën gjatë natës.”, njofton policia.

Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi sapo doli nga rrethimi i aeroportit. Nga një makinë dolën 3 persona më armë në dorë dhe bënë shosh me plumba makinën “Mercedez Benz” të bardhë që drejtohej nga Shaljani, i cili në shtator ishte bërë pjesë e AMP-së si agjent, në një procedurë në shkelje të ligjit.

Atentatorët u larguan nga kasaphana që vetë krijuan, vetëm pasi u bindën se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë. Më tej dogjën makinën në fshatin Halil, bashkë me armët që terrorizuan aeroportin.