Aktiviteti ekonomik në Shqipëri po përqendrohet gjithnjë e më shumë në zonën metropolitane Tiranë–Durrës, ndërsa qarqet periferike po humbin peshë në prodhimin kombëtar. Sipas të dhënave rajonale të INSTAT për vitin 2023, Tirana ka arritur të kontribuojë me 44% të PBB-së kombëtare, duke rritur peshën me 1.2 pikë përqindje në periudhën 2019–2023. Durrësi po ashtu ka shënuar rritje prej 0.6 pikë përqindje, i nxitur nga turizmi, ndërtimi dhe përparësitë logjistike të portit.
Në vijim të zonave me rritje, Vlorës dhe Beratit u shtohet nga një rritje modeste, ndërsa Shkodra ka mbajtur të pandryshuar peshën e saj ekonomike. Në të kundërt, disa qarqe të tjera kanë përjetuar rënie të dukshme. Korça ka shënuar tkurrjen më të madhe me -0.7 pikë përqindje, e ndjekur nga Fieri, Gjirokastra dhe Lezha. Edhe Kukësi, Dibra dhe Elbasani kanë humbur pjesë në PBB-në kombëtare.
Këto lëvizje tregojnë qartë thellimin e pabarazive rajonale: Tirana dhe Durrësi përfitojnë nga investimet, infrastruktura, shërbimet dhe përqendrimi i institucioneve, ndërsa qarqet e largëta vuajnë mungesën e investimeve, emigrimin dhe rënien e sektorëve tradicionalë. Përqendrimi ekonomik në dy qarqet kryesore po rrit presionin mbi banesat, trafikun dhe shërbimet publike, ndërsa zonat periferike rrezikojnë të mbeten pas në zhvillim.
Në këtë kontekst, anëtarësimi i ardhshëm në BE pritet të kërkojë politika të reja për zhvillimin e balancuar rajonal, me synim reduktimin e pabarazive dhe stimulimin e ekonomive lokale.














