TIRANA- Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Gjon Shkambit për të ndryshuar masën e sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për “arrest në burg”. Në seancën e apelimit, Shkambi argumentoi se nuk ka qenë autor apo bashkëpunëtor në ngjarjen e rëndë ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy persona të tjerë, palë në proces.
Ai pretendoi se nuk kishte asnjë dijeni për veprimet e nipit të tij, Elvis Shkambi, i cili qëlloi me armë menjëherë pasi gjyqtari lexoi vendimin që rrëzonte kërkesën e tij për një çështje pronësie. Ndërkohë, Elvis Shkambi, 30 vjeç, mbetet në paraburgim dhe nuk ka paraqitur kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces













