“15 mln euro ekstra për pacientët e Onkologjikut” / Rama: Shërbim falas për rikonstruksionin e gjirit dhe rritje pagash për bluzat e bardha

Tiranë, 8 Nëntor 2025 – 11:30

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një paketë të re financiare për sektorin e shëndetësisë, me një buxhet total prej 1 miliard euro të parashikuar për vitin 2026. Një pjesë e kësaj shume, rreth 15 milionë euro, do të shkojnë direkt në mbështetje të pacientëve të Onkologjikut.

Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Rama deklaroi se për herë të parë gratë dhe vajzat që kanë kaluar kancerin e gjirit do të përfitojnë shërbimin e rikonstruksionit të gjirit plotësisht falas, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për dinjitetin dhe shëndetin e grave shqiptare.

Kryeministri shtoi se në vitin 2026 4600 mjekë, infermierë dhe farmacistë, si edhe 14 200 teknikë e laborantë, do të përfitojnë një rritje të re pagash, në kuadër të politikës për përmirësimin e kushteve të punës dhe frenimin e emigrimit të personelit shëndetësor.

Rama njoftoi gjithashtu se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) do të nisë një partneritet të ri me spitalin e njohur italian “San Rafaelo” të Milanos, si pjesë e planit “Shqipëria 2030” për ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve.

“Ky është një mesazh që në Shqipëri punohet me dinjitet dhe se ikja do të mbetet një zgjedhje individuale, jo më një domosdoshmëri,” u shpreh Rama.