“Policia, mos lëviz!”, momenti i arrestimit të autorit të vrasjes së 41-vjeçarit në Babrru (EMRI)

Zbardhet identiteti i autorit të krimit në Babrru. Bëhet fjalë për shtetasin Arlind Demushi. Policia ka publikuar dhe momentin e arrestimit të autorit të vrasjes së Hajdar Ismailgecit.

Në momentin e arrestimit, 38-vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit.

NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Veprimet e shpejta hetimore zbardhin rrethanat dhe autorësinë e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Babrru. Kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari që dyshohet se vrau me thikë 40-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta me të.

Në momentin e arrestimit, 38-vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e shkakut të vdekjes së shtetasit H. I., 40 vjeç, i cili u gjet mbrëmjen e djeshme, në rrugë, pa shenja jete dhe me plagë të shkaktuara me mjet prerës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimi i autorit të dyshuar.

Pas identifikimit, u bë lokalizimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 38 vjeç, i cili u kap në Durrës dhe u vu në pranga, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSh. Nga hetimet dyshohet se 38-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës, 40-vjeçarin, i cili për pasojë ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.