Vrasje me thikë në Tiranë. 50-vjeçari gjendet i pajetë buzë rrugës

Një person i pajetë është gjetur mbrëmjen e sotme në Babrru, në periferi të Tiranës.

Siç konfirmon edhe Policia e Tiranës, personi ka humbur jetën për shkak të goditjeve me thikë. Ai është rreth 50-vjeç dhe është gjetur i pajetë buzë rrugës.

Identiteti i viktimës dhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Policia dhe ambulanca janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes sapo janë sinjalizuar nga banorët e zonës.

“Rreth orës 20:10, në Babrru, është konstatuar pa shenja jete një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 50 vjeç. Nga këqyrja paraprake, viktima ka një plagë të shkaktuar me mjet prerës, e cila dyshohet të ketë qenë shkaku i humbjes së jetës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e viktimës, kapjen e autorit si dhe sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit”, njofton Policia e Tiranës.