Për gjatë gjithë ditës kanë vijuar pa ndërprerje reshjet e shiut në gjithë territorin e Qarkut Dibër. Në lartësinë mbi 1200 metra, ka pasur reshje dëbore, ndërsa trashësia në disa zona kalon 20 centimetra.
Reshjet e borës tashmë kanë prekur fshatrat e disa njësive administrative. Në Lurë reshjet kanë përfshirë të gjithë fshatrat. Reshje ka edhe në disa fshatra të Selishtës e Kalasë së Dodës.
Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta janë problematike për fermerët dhe blegtorët që kanë bagëtitë ende nëpër stane.
Sa i përket zonave të banuara nuk raportohen probleme si me infrastrukturën ashtu edhe me furnizimin me energji elektrike.
