Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi kanë kanosur disa persona kundrejt dhënies së shumave monetare.
Autori i rastit të parë u kap në flagrancë, teksa i merrte 5000 euro, një shtetasi, për të mos i publikuar video në rrjete sociale. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori.
Dy autorët e arrestuar të rastit të dytë i hoqën lirinë një të mituri, me pretendimin se kishte vjedhur para në biznesin e tyre.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të indicieve të ardhura te strukturat e Policisë së Tiranës, për raste të kanosjes, për dhënie të shumave të parave:
-specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në kuadër të operacionit “Këmbimi”, arrestuan në flagrancë shtetasin J. B., 18 vjeç dhe shpallën në kërkim shtetasin A. Gj., 20 vjeç, pasi dyshohet se kanë kanosur një 21-vjeçar, për t’iu dhënë 5000 euro, me qëllim mospublikimin në rrjete sociale, të një videoje të tij. 18-vjeçari u kap në flagrancë, teksa i merrte 21-vjeçarit, shumën e eurove, ndërsa për kapjen e 20-vjeçarit, Policia vijon punën. Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e eurove dhe 3 celularë;
-specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Këmbimi”, arrestuan shtetasit S. H., 30 vjeç dhe L. H., 21 vjeç, pasi dyshohet se i kanë hequr lirinë një të mituri, duke e mbajtur në automjet, me pretendimin se kishte vjedhur para në subjektin e tyre. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i përdorur nga 2 të arrestuarit, për rastin. Punohet për dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
