GJIROKASTËR, 30 shtator 2025 – Një adoleshent 15-vjeçar nga Gjirokastra është shpallur i zhdukur prej më shumë se shtatë orësh, duke ngritur alarmin tek familjarët dhe autoritetet.
I mituri, i identifikuar si M. Kalemi, është rreth 1.80 metra i gjatë, me sy bojëqielli. Në momentin e fundit që është parë, ka qenë i veshur me rroba të zeza dhe atlete gri.
Sipas dëshmive, ai është parë për herë të fundit rreth orës 12:30 pranë agjencisë në urën e lumit, duke tentuar të niset drejt Tiranës. Dyshohet se, për shkak se nuk kishte para për biletën, mund të jetë nisur me ndonjë mjet rastësor.
Familjarët kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij. Ndërkohë, policia ka nisur kërkimet dhe po verifikon kamerat e sigurisë për të përcaktuar drejtimin që ka marrë adoleshenti, por deri tani pa rezultat.
