Berisha: Në raportin e DASH flitet për një narkoekonomi ku nuk ka asnjë investim të huaj!

“Shqipëria është shndërruar nga Edi Rama në parajsën e larjes së parave të klaneve dhe karteleve më të rrezikshme në Europë. Departamenti i Shtetit në raportin e fundit flet hapur për një patern ekonomik që po zhvillohet dhe që në të vërtetë është paterni ekonomik i narkoshtetit dhe narkoekonomisë. Në Shqipëri nuk ka investime të huaja. Ka 10 vite që nuk numërohen as më gishta investitorët seriozë perëndimore sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre. Sepse janë terroristët e karteleve të drogës ata që dominojnë tërësisht tregun shqiptar, ata që kanë shkatërruar tërësisht konkurrencën, ata të cilët janë më të preferuarit apo që i diktojnë Edi Ramës.

Ndaj me të drejtë në raport flitet për një korrupsion të madh qeveritar, korrupsion të madh në gjyqësor. Flitet për paratë e drogës, për mungesën e investimeve të huaja, që të gjitha këto tipike për një narkoshtet. Rikujtoj këtu se kompani të mëdha botërore, gjatë këtyre viteve u larguan nga Shqipëria. Rikujtoj këtu se të gjitha akset e mëdha rrugore, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, u ndërtuan nga kompani ndërkombëtare me reputacion të madh.

Rikujtoj këtu se zbarkuan në Shqipëri gjigantë si Shelli, pavarësisht rezultatit, por shpenzoi mbi 1 miliard euro në shpatet e Shpiragut dhe zona të tjera në kërkim të naftës. Kompani të tjera në real estate kishin projekte mbi 1 miliard e gjysëm dhe ato u larguan të gjitha nga Shqipëria që të gjitha sepse u zëvendësuan nga kartelet e drogës. PD do vazhdojë misionin e saj të transparencës së plotë, pavarësisht avoketërve të narkoshtetit, pavarësisht çfarë pozicioni kanë dhe ku ndodhen, me bindjen e plotë se narkoshteti shqiptar është rrezik madhor për qytetarët shqiptarë, për qytetarët e rajonit, për BE-në, partnerët tanë përtej Atlantikut,” tha Berisha.