Detaje tronditëse janë zbuluar nga mediat italiane lidhur me vrasjen e Hayati Aroyo, një 62-vjeçari me origjinë turko-italiane, i cili u gjet i karbonizuar më 23 korrik në një apartament në Sesto San Giovanni, Milano.
Aroyo ishte kunati i Huseyin Sarai, një prej bosëve më të njohur të mafias turke, i ekzekutuar në vitin 2005 në Crotone. Megjithatë, sipas hetuesve, krimi i fundit nuk ka lidhje me aktivitetet e klanit mafioz, por me një motiv personal: frika se viktima mund të shpërndante një video intime, ku dyshohet se ishte e përfshirë një 36-vjeçare, origjina e së cilës nuk është bërë e ditur.
Policia italiane, nën drejtimin e Prokurorisë së Monzës, arrestoi tre persona: një 38-vjeçar, bashkëshortja e tij 36-vjeçare dhe një 33-vjeçar shqiptar. Të tre akuzohen për vrasje me paramendim, grabitje, zjarrvënie dhe shkatërrim kufome.
Sipas rindërtimit të hetuesve, plani ishte i ftohtë dhe i paramenduar: gruaja hyri e para në banesën e Aroyos, duke lënë derën hapur për shqiptarin. Ky i fundit hyri brenda dhe, sipas akuzës, e goditi viktimën me thikë rreth 30 herë. Ndërkohë, burri i 36-vjeçares priste jashtë duke bërë roje.
Më pas, trupi i pajetë u vendos mbi krevat, u spërkat me zbardhues dhe iu vu flaka, për të zhdukur provat. Flakët u përhapën në të gjithë apartamentin, duke e bërë identifikimin e viktimës të mundur vetëm pas disa ditësh, falë gjurmëve të gishtave dhe ndihmës së autoriteteve turke.
Hetuesit zbuluan gjithashtu se pas krimit, gruaja dhe bashkëpunëtorët tentuan të përdornin kartat e kreditit të Aroyos në disa salla bastesh dhe ambiente të tjera, duke i çuar hetuesit drejt pistës që solli zbardhjen e ngjarjes. Nga apartamenti u morën para, një tablet dhe një celular, pasi dyshohej se aty mund të ruhej videoja komprometuese, e cila deri më tani nuk është gjetur.
Gjithçka është konfirmuar edhe nga bisedat e sekuestruara në telefonin e shqiptarit, ku gruaja i shkruante për krimin me një ftohtësi tronditëse: “Kisha frikë se mos ndjeja mëshirë, por jo. Shikoja vetëm për të kuptuar nëse do të ndjeja diçka, por më kot, nuk ndjeva asgjë.”
