Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë i shpallur në kërkim në vitin 2024 për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
I riu Alban Bruçi, banues në Shkodër, u arrestua në rrugën “Teodor Keko” në kryeqytet teksa po udhëtonte me një motor të drejtuar nga 37-vjeçari Arjan Sardi gjithashtu i arrestuar për veprën penale “përkrahje të autorit të krimit”.
Alban Bruçi u arrestua në kuadër të operacionit “Operacionalja 67”, teksa gjatë kontrollit fizik me vete iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, të gjitha të sekuestruara si prova materiale.
Alban Bruçi dyshohet se organizoi dhe realizoi atentatin e 7 Shtatorit të 2024 në Shkodër ndaj boksierit Arjon Kajoshi. Motiv ishte hakmarrja për plagosjen ndaj babait të tij Vladimir Bruçi, 62 vjeç, nga vëllai i shënjestrës, Arlind Kajoshi, ngjarje e ndodhur më 3 Qershor në qytetin verior dhe që pati si motiv sherrin për vendparkimin, ku sipas dosjes policore ishte edhe vetë i përfshirë dhe hetuar.
Njoftimi i Policisë
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.
Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 67”.
Kapet në rrugën “Teodor Keko” dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje me paramendim dhe për armëmbajtje pa leje.
Në momentin e ndalimit, 28-vjeçari posedonte një kartë identiteti italiane false.
Vihet në pranga dhe shtetasi që shoqëronte dhe transportonte 28-vjeçarin, me motomjet.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 67”, gjatë të cilit u kap në rrugën “Teodor Keko” dhe u vu në pranga shtetasi:
-A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim me vendimin e vitit 2024, të Gjykatës së Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasi A. B. iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga, për përkrahje të autorit të krimit, shtetasi A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqëronte shtetasin A. B., në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë. Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. S. transportonte shtetasin A. B., me motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S..
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
