Veliaj do të shkarkohet nga të vetët si kryebashkiak i Tiranës më 23 shtator

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet ditën e martë, më datë 23 shtator për të shkarkuar Erion Veliajn si kryebashkiak i kryeqytetit.

Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak pritet të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të këshilltarëve socialistë të bashkisë, që u mbajt në selinë e Partisë socialiste.

Ky është hapi i parë zyrtar i PS-së për nisjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti.

Pas nisjes së procedurave nga Këshilli Bashkiak, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, Veliaj do të ketë 15 ditë kohë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.

Po çfarë thonë neni 62 i ligjit “për vetëqeverisjen vendore” për procedurat e shkarkimit të kryetarit të bashkisë?

Shkarkimi i kryetarit të bashkisë, Neni 62

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:

a) Kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;

b) Dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendime të formës së prerë nga gjykata;

c) Propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë.

Këshilltarët socialistë të Bashkisë u vunë në lëvizje pasi kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e PS-së, se kryeqyteti nuk mund të priste më asnjë ditë për punët që duhen bërë dhe njoftoi se do nisnin procedurat për shkarkimin e Veliajt. Ai gjithashtu, propozoi që në garë si kandidatja e PS-së për kryebashkiake të ishte Ogerta Manastirliu.

Ndërkohë, seanca paraprake në GJKKO për çështjen e Veliajt është caktuar për datën 29 shtator.

Në këtë seancë, gjyqtarja Etleva Deda do të dëgjojë SPAK-un dhe kërkesën e tij për gjykim, si edhe të pandehurit në këtë proces, në mënyrë që të dalë më pas me një vendim nëse do e kalojë çështjen për gjykim në themel, do ta pushojë atë apo do ta kthejë pas për hetime të mëtejshme.

Përveç Tiranës, këtë vjeshtë do të shkojnë në zgjedhje edhe pesë bashki të tjera: Vlora, pas dorëheqjes së Ermal Dredhës; Cërriku, pas zgjedhjes së kryebashkiakut për ministër Bujqësie; si dhe Berati, Mati dhe Tepelena.