Dy të rinj grabisin me armë pikën e karburantit në Librazhd. Arrestohen nga policia

Rreth orës 23:00 të së hënës, dy persona të armatosur kryen një grabitje në një pikë karburanti në Semës, në njësinë administrative Qendër, rreth 1 kilometër larg qytetit të Librazhdit. Autorët kërcënuan punonjësit me armë zjarri dhe larguan nga vendngjarja një shumë të konsiderueshme parash.

Pas njoftimit, Policia e Librazhdit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ndërmori veprime të shpejta dhe profesionale, duke identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar në kohë rekord.

Të dy personat, banorë të qytetit të Elbasanit, ndodhen aktualisht në paraburgim. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse autorët janë të përfshirë në ngjarje të tjera kriminale.