Prodhuesi shtetëror i pasaportave fitoi 16 mln euro në 2024-n, normë 44%

TIRANË- Kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identiteti dhe pasaportave, IdentiTek, e cila ka vijuar aktivitetin e koncesionarit “Aleat”, ka raportuar të ardhura prej gati 3.7 miliardë lekësh në vitin 2024, sipas pasqyrave financiare të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kompania kishte aktivitet vetëm në gjysmën e dytë të vitit, të ardhurat janë dyfishuar.

Shoqëria, ashtu si pasardhësi i saj, “Aleat” ka vijuar “traditën” e normave të larta të fitimit dhe një aktivitet që e ka kthimin e garantuar. Fitimi para taksave ishte 1.63 miliardë lekë, ose rreth 16 milionë euro. Norma e fitimit ishte 44%, shumë më e lartë sesa mesatarja e ekonomisë, që nuk i kalon 10%, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.

Deri në korrik të vitit 2023, prodhimi i pasaportave dhe kartave të identitetit realizohej përmes koncesionit për prodhimin e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit. Ky koncesion u firmos në vitin 2008, me partnerë si IDEMIA SA (Francë), që operoi përmes shoqërisë “ALEAT”.

Gjatë operimit të tij, ALEAT ka realizuar norma të larta fitimi. Psh në vitin 2022, i fundit i operimit si i plotë, ALEAT regjistroi të ardhura prej 5.5 miliardë lekë, dhe fitime 1.7 miliardë lekë, me një normë fitimi prej 31%. Në 2021-n, që është dhe viti me rezultatin më të lartë, të ardhurat ishin 6.5 miliardë lekë dhe fitimi 2.6 miliardë lekë, me një normë prej rreth 40%, që gjithsesi mbetet pak më e ulët se ajo e operatorit shtetëror. ALEAT realizoi një qarkullim vjetor prej mbi 404 milionë euro xhiro dhe rreth 110 milionë euro fitime neto gjatë një dekade operimi, sipas të dhënave nga bilancet.

Shtetasit shqiptarë kanë ndërkohë kostot më të larta në rajon për marrjen e pasaportave dhe kartave të identitetit. Në Shqipëri për të marrë një pasaportë biometrike duhen paguar 7500 lekë, ose rreth 75 euro. Me afat të përshpejtuar, për 2-3 ditë, tarifa rritet në 18 mijë lekë (rreth 180 euro).

Në Kosovë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, tarifa për pasaporte biometrike është 30 euro për personat mbi 18 vjeç dhe 15 euro për pensionistët. Për procedurë të përshpejtuar (brenda 72 orëve) shtohen edhe 5 euro. Për fëmijët, kosto është 20 euro (për 5 vjet).

Në Mal të Zi, pasaporta normale biometrike kushton 40 euro. Në Maqedoninë e Veriut kosto është rreth 40 euro. Edhe në Serbi e Mal të Zi, tarifa nuk i kalon 40 euro. Në BE, tarifat për pasaportë biometrike luhaten zakonisht në 30–40 euro në vendet e Europës Lindore / Qendrore (p.sh. Bullgaria, Hungaria, Kroacia) dhe 60–90 euro në vendet e Europës Perëndimore (p.sh. Franca ~86 euro, Gjermania ~70 euro, Italia ~73 euro). Disa vende kanë tarifa dhe më të larta (p.sh. Zvicra mbi 140 CHF ≈ 145 €). Mesatarja europiane është rreth 70–80 euro, pra dukshëm më e lartë se vendet e Ballkanit Perëndimor, ku çmimet janë mes 30–40 euro, përveç Shqipërisë që është shumë më pranë mesatares së BE-së./Monitor.al